Mjekët paralajmërojnë se Navalny mund të vdesë shpejt

18 prill 2021 | 09:55

Presidenti amerikan Joe Biden e ka konsideruar gjendjen e kritikut të Kremlinit Aleksei Navalny “të padrejtë”, pasi mjekët dhe zëdhënësja e Navalnyt kanë paralajmëruar se ai mund të vdesë shpejt, për shkak të grevës së urisë.

“Është absolutisht, absolutisht e padrejtë dhe aspak e duhur”, u ka thënë Biden gazetarëve në Uilmington, Delauer, duke iu përgjigjur pyetjes rreth raportimeve për përkeqësim të gjendjes shëndetësore të Navalnyt.

Biden po ashtu ka theksuar se gjendja e tij e përkeqësuar shëndetësore është edhe rezultat i helmimit të Navalnyt në verën e vitit të kaluar.

Shëndeti i Navalnyt është i dobët dhe ai mund të përballet me sulm në zemër “në çdo minutë”, sipas mjekes së tij personale dhe tre mjekëve të tjerë.

Letra është postuar më 17 prill, në llogarinë e mjekes personale të Navalnyt, Anastasia Vasilyeva, e cila ka thënë se ekipi i mjekëve ka shprehur gatishmëri për të organizuar negociata dhe konsultime.

Navalny, 44-vjeçar, ka bërë të ditur se do të nisë grevën e urisë në fund të muajin të kaluar, si shenjë proteste ndaj refuzimit të autoriteteve të burgut për t’i lejuar atij qasje në kujdes të duhur mjekësor për dhimbjen që ka në shpinë dhe këmbë.

E përditshmja amerikan The New York Times ka trajtuar situatën e Navalnyt në një shkrim editorial më 17 prill, duke thënë se vendimi nëse mjekët lejohen që ta trajtojnë Navalnyn “varet qartësisht nga presidenti Vladimir Putin”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Republika Çeke ka urdhëruar dëbimin e 18 diplomatëve rusë, duke…