Mjekët që humbën jetën gjatë luftës me pandeminë Covid-19

12 dhjetor 2020 | 21:41

Nga fillimi i pandemisë në Kosovë deri më sot kanë ndërruar jetë nga koronavirusi mbi 20 punëtorë shëndetësorë, shumica prej të cilëve kanë qenë aktiv duke punuar në institucionet shëndetësore.

Për të nderuar kontributin e tyre, ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani ka dekoruar 18 prej tyre me medaljen e meritave. Osmani ka thënë se përkushtimi i punëtorëve shëndetësorë ndaj vlerave humane dhe ndaj profesionit të tyre, si dhe sakrifica e tyre sublime në mbrojtje të shëndetit të pacientëve, është shenjë e vetëdijes më të lartë profesionale dhe njerëzore.

Pandemia në Kosovë filloi me dy rastet e para më 13 mars, një në komunën e Klinës dhe një në komunën e Vitisë. Në këtë të dytën fatkeqësisht është shënuar edhe rasti i parë i vdekjes së një mjeku nga koronavirusi.

Dr. Fadil Zuka, specialist i mjekësisë familjare, i takonte gjeneratës së mjekëve që ishin persekutuar nga regjimi serb dhe kishin bërë shumë sakrifica për të shërbyer popullin shqiptar në vitet e 90-ta. Në kohët më të vështira mjeku i ndjerë kishte shërbyer në Ambulantën e Shoqatës Humanitare Nënë Tereza në Viti, e pastaj edhe në Pozheran.

Tre vjet në moshë më të re, humbi jetën nga Sars-Cov-2 kirurgu Ali Tolaj. I ndjeri kishte specializuar në vitin 1995, ndërsa kishte shërbyer si mjek në Spitalin e Gjakovës në fund të viteve të 90-ta duke ndihmuar edhe UÇK-në. Edhe Tolaj ishte një nga mjekët e dekoruar nga Osmani.

Sylejman Rexhepi, internist-reumatolog dhe profesor, është mjeku i tretë që u bë viktimë e koronavirusit në moshën 67-vjeçare. Rexhepi njihet si bartës i projektit shkencor mbi ethet reumatike në Kosovë në vitet 1987-89. Prof. Sylejmani, është konsideruar si shembull i profesorit të zellshëm dhe mjek i përkushtuar ndaj pacientëve. Për këtë kontribut të tij i ndjeri u dekorua me medaljen e meritave pos mortem.

Në moshën 56-vjeçare ka vdekur Dr. Lulzim Kolgjeraj. I ndjeri ka shërbyer në mjekësinë primare në Prizren për rreth tri dekada. Bashkëshortja e të ndjerit zonja Lajde ka rrëfyer për jetën e doktorit në një intervistë për Shneta në T7.

Dr. Kujtim Zarari ishte një prej mjekëve që humbi jetën nga koronavirusi në moshën më të re, 51 vjeçar. Ai ishte drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë. Vdekja e tij u konsiderua si humbje e madhe jo vetëm për mjekësinë familjare ku punonte, por për shëndetësinë kosovare. Për kontributin e tij u dekorua me medaljen e meritave.

 

Një tjetër mjek që ndërroi jetë nga komuna e Vitisë është doktor Feti Hetemi. Internisti dhe nefrologu ka vdekur më 19 gusht në Qendrën Klinike Universitare ku po trajtohej nga kolegët e tij, të cilët fatkeqësisht humbën betejën me koronavirusin. Hetemi është dekoruar nga presidentja Osmani me medaljen për merita. Djali i të ndjerit, Valdrini, i cili poashtu është mjek me profesion, ka rrëfyer disa momente nga jeta e babait të tij i cili ishte i angazhuar si mjek në UÇK si dhe kishte ngritur sistemin paralel të shëndetësisë në anamoravë.

Doktor Burim Krasniqi, ose siç njihej ndryshe Dr. Buki, gjinekologu i njohur nuk mundi ta mposhtë koronavirusin. Ai ishte një nga mjekët më të dashur në mesin e komunitetit mjekësor në Kosovë.

Kolegë të tij e vlerësuan lart kontributin e Krasniqit. Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë Jakup Ismajli, e konsideroi si humbje të madhe vdekjen e tij dhe e kishte quajtur shembull për të gjithë klinikën.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së Gjinekologëve Shefqet Lulaj, e kishte quajtur Krasniqin humanist dhe person i ndërgjegjshëm që nuk kishte kursyer asgjë për pacientët.

Doktor Minafir Beshiri, është mjeku nga komuna e Dragashit i cili humbi jetën nga koronavirusi. I ndjeri kishte shërbyer në mjekësinë familjare në Dragash. Ai është një nga mjekët e dekoruar nga presidentja. Vajza e të ndjerit Vaidja ka ndarë me ne pjesë nga jeta dhe përvoja e babait të saj.

Doktor Safet Idrizi ka ndërruar jetë më 31 tetor. I ndjeri shërbeu si specialist i mjekësisë familjare në Vushtrri. Ai vdiq në moshën 63-vjeçare. Gjatë përvojës së tij si mjek, Idrizi kishte udhëhequr edhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri. Idrizi poashtu kishte kontribuar si mjek gjatë luftës në Kosovë duke ndihmuar UÇK-në.

Specialisti i fiziatrisë nga Suhareka ka vdekur më tetë nëntor. Sedat Hoti shërbeu në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit si shef i shërbimeve të terapisë fizikale. Ai u nderua nga presidentja me medaljen e meritave, si një nga mjekët që humbën jetën nga koronavirusi derisa ishte aktiv duke punuar në spital.

Doktor Gëzim Berisha specialist i pediatrisë ka ndërruar jetë më 5 dhjetor. Ai ka shërbyer në Spitalin e përgjithshëm në Pejë ku ishte infektuar duke punuar me pacientë të sëmurë me koronavirus. Berisha ka kontribuar edhe si mjek në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nëna e të ndjerit, Fatimja, e ka mirëpritur dekorimin e tij nga presidentja Osmani. Në një rrëfim për Shneta në T7, me plot emocione dhe lot ajo ka shprehur krenarinë për kontributin e të birit si dhe ka rrëfyer momentet e fundit të jetës së tij.

Dentisti Kujtim Macula nga Mitrovica është një nga të dekoruarit nga presidentja Osmani për kontributin gjatë pandemisë. Medaljen e ka pranuar vajza e tij, Diellza, e cila e ka falënderuar Osmanin për vlerësimin e kontributit të babait të saj.

Mjeku i fundit që ndërroi jetë gjatë kësaj jave nga koronavirusi, është specialisti i dermatologjisë Nijazi Ahmeti. I ndjeri është trajtuar nga kolegët e tij në QKUK për disa ditë, por fatkeqësisht nuk arriti t’i mbijetojë “monstrumit” Covid-19, siç e kishte quajtur vet ai gjatë kohës sa ishte i shtrirë në spital.

Infermierët dhe punëtorët mbështetës shëndetësor nuk iu ndan për asnjë moment pacientëve të sëmurë me koronavirus. Shumë prej tyre u infektuan e disa fatkeqësisht ndërruan jetë.

Një prej tyre është infermierja Shkurte Geca e cila u dekorua me medaljen e meritave. Vajza e saj, Mimoza e cila me profesion është mjeke, ka treguar se si nëna e saj kishte shërbyer gjatë pandemisë dhe ishte infektuar me Covid.

Infermierët dhe punonjësit tjerë shëndetësorë të cilët ndërruan jetë nga koronavirusi derisa ishin infektuar gjatë punës aktive në spitale, janë edhe Sherafedin Mehmeti, Albert Rexhaj, Ilir Ymeri, Vjollca Berisha dhe Bashkim Qollopeku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
5,243 persona kanë mposhtur koronavirusin këtë javë në Republikën e…