
Mjekët që u kujdesën për babanë e Thaçit u shkojnë për ngushëllime, familja i falënderon
20 mars 2025
| 21:59
Familja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka shprehur mirënjohje të thellë për mjekët, infermierët dhe personelin shëndetësor të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), të cilët u kujdesën për babanë e tij gjatë muajve të fundit.
Në një mesazh falënderimi, familja Thaçi vlerëson përkushtimin dhe profesionalizmin e mjekëve, të cilët luftuan me të gjitha mundësitë për ta mbajtur në jetë të ndjerin. Disa prej tyre ishin sot të pranishëm në të pamen e hapur për të shprehur ngushëllimet e tyre.
“Gjatë gjithë këtyre muajve, ata nuk ishin vetëm mjekë, infermierë e personel shëndetësor. Ata u bënë edhe pjesë e dhimbjes së familjes! Faleminderit për gjithçka!”, thuhet në mesazhin e familjes Thaçi.
Familja shpreh mirënjohje të përhershme për kujdesin dhe mbështetjen e treguar nga stafi shëndetësor, duke theksuar humanizmin dhe përkushtimin e tyre në momentet më të vështira.