Mjekët shqiptarë në Europë, kërkesë BE: Ndihmoni me vaksina popullatën shqiptare
Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë i është drejtuar BE-së me një letër të hapur, me anë të së cilës kërkon mbështetje për vaksinimin e popullatës shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi. Letra në adresë të presidentes së Komisionit Europian dhe ambasadorit të BE-së në Tiranë mban firmën e mjekëve më të njohur shqiptarë që e ushtrojnë profesionin në vende të ndryshme të Europës.
Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë i kërkon “Bashkimit Europian sigurimin dhe transportimin e dozave te nevojshme të vaksinës dhe stategjitë menaxhuese të vaksinimit të popullatës shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi”.
“Numri i vaksinave që kanë mbërritur në Shqipëri është qesharak dhe nuk mund të ndihmojnë në ecurine pozitive të luftës ndaj Covid-19 dhe në sigurimin e mbrojtjes së popullatës. Ballkani Perëndimor është brenda Europës, shumë qytetarë udhëtojnë nëpër BE dhe sipas rekomandimeve të OBSH ne nuk do të mund të zgjidhim problemin e pandemisë nëse popullata europìane në tërësinë e saj nuk do jetë e vaksinuar”, thuhet në letër.
Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë është një organizatë që përmbledh reth 3000 specialistë të fushës së mjekësisë në Europë.