Mjekët specialistë nuk preferojnë punësimin në spitalet rajonale
Spitalet rajonale të Kosovës kanë mungesë të kuadrove mjekësore. Megjithatë në konkursin e fundit të shpallur nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ditë më parë për pranimin e mjekëve specialistë, këta të fundit nuk kanë shprehur interesim për t’u punësuar.
Në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, ishin kërkuar dy kirurgë të përgjithshëm, derisa nuk ka pasur asnjë kandidat.
Po ashtu, edhe në spitalin e Mitrovicës nuk kishte të interesuar të aplikojnë për punësim si specialist të Neurologjisë, Otorinolaringologjisë, sikurse që nuk kishte interesim edhe për specialistë për punësim në repartin infektiv të këtij spitali, aty ku edhe ka mungesë të mjekëve.
Në spitalin e përgjithshëm të Gjakovës, ndonëse ishte kërkuar një specialist i Otorinolaringologjisë dhe specialist të radiologjisë, as këtu nuk kishte aplikantë.
Drejtori i spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se mungesa e mjekëve specialist të fushave të caktuara është shumë e madhe.
Por, mjekët specialistë, siç thotë Asllani, duket se cak i kanë vendet e Bashkimit Evropian, për të kërkuar punë dhe kushte më të mira.
Ai ka theksuar faktin se edhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës mbetet si një ndër vendet ku mjekët specialistë dëshirojnë të punësohen.
“Kemi deficit në disa reparte, për shembull në oftalmologji ku është vetëm një mjeke 62-vjeçare. Kemi hapur konkurs për oftalmolog për ORL dhe të rengenologjisë. Ende është i hapur konkursi dhe asnjë kandidatë nuk ka konkurruar”, ka thënë Asllani, duke shtuar se në repartin e ORL-së janë dy mjekë.
“Njëri është mbi moshën 63-vjeçare. Mendoj se çdo repart duhet t’i ketë nga pesë mjekë specialist dhe të punohet me kujdestari pasi aty japim shërbime për shumë pacientë jo vetëm për Gjakovën, por edhe gjithë rrethinën. Siç duket, gjeneratat e reja po ikin jashtë Kosovës, dhe tjetra është se po kanë më shumë dëshirë të punojnë në QKUK”, ka thënë Asllani.
Në anën tjetër, Shpend Fazliu, zyrtar për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka thënë se në konkursin publik të shpallur nga ana e këtij institucioni për vende të lira pune, janë paraparë 22 profile të ndryshme mjekësore, ku u kërkuan 28 specialistë, në kuadër të Spitaleve të Përgjithshme,
Por siç thotë ai, interesimi i mjekëve ka qenë i pamjaftueshëm, edhe pse ekzistojnë vendet e lira të punës të aprovuara në buxhetin e vitit 2018.
“Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka shpallur konkurs për pranimin e specialistëve, por nuk ka pasur interesim për spitalet regjionale çuditërisht. Ne si shërbim spitalor ftojmë të gjithë specialistët që janë të papunë që të aplikojnë dhe të plotësojmë vendet e punës për të cilat ka edhe buxhet për vitin 2018, dhe t’u ndihmojnë qytetarëve në nevojë të atyre regjioneve”, ka thënë Fazliu.
Drejtori i spitalit të përgjithshëm të Mitrovicës, Hamëz Berisha, i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se ndonëse kanë nevojë për mjekë specialist të lëmive të caktuara, dhe konkursi ishte shpallur nga ana e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, as në spitalin që ai udhëheq nuk ka pasur mjekë specialist të interesuar për punë.
“Konkursi është shpallur për nevojat që ne i kemi për repartin e pulmologjisë atë të neuroligjisë si dhe infektivë. Por nuk ka pasur konkurrentë. Kohë më parë kemi pranuar specialistë dhe tashmë janë funksionalizuar shumë reparte, por që Infektiva, Pulmologjia dhe Neurologjia kanë mbetur pa mjekë të mjaftueshëm. Për ata specialistë që kanë qenë të papunë dhe ne kemi pasur nevojë, kemi shpallur konkurs dhe i kemi pranuar ata mjekë”, ka thënë Berisha, duke shtuar se tri repartet kanë nevojë për nga tre mjekë specialistë.
Sidoqoftë, Ligji i punës nuk i obligon mjekët specialistë që të punojnë aty ku ka mungesë por e lë mundësinë e zgjedhjes se ku ata dëshirojnë dhe mund të punësohen. Ky ligj nuk lejon që një mjek që ka kontratë pune me një institucion publik shëndetësorë të aplikojë edhe në ndonjë spital regjional.