Mjeku amerikan: Vetmia është ‘e rrezikshme sa duhani’
Mjeku i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Vivek Murthy, ka thënë se ky vend po përballet me një epidemi vetmie që është po aq e rrezikshme për shëndetin sa pirja e 15 cigareve në ditë.
Murthy ka lëshuar një doracak këshillues, i cili bën thirrje që izolimi social të trajtohet seriozisht sikurse obeziteti ose abuzimi me drogën.
Sipas tij, gati gjysma e amerikanëve, nga të gjitha sferat e jetës, mendohet se janë prekur nga vetmia.
Ajo, sipas tij, lidhet me arritje më të ulëta akademike apo performancë më të keqe në punë.
Gjendja është përkeqësuar nga pandemia Covid-19, e cila ka bërë që shumë njerëz t’i zvogëlojnë rrethet e tyre shoqërore, ka thënë Murthy, i cili njëherësh është edhe udhëheqës operacional i Shërbimit të Shëndetit Publik të ShBA-së.
Ai ka prezantuar, gjithashtu, një kornizë kombëtare për rindërtimin e lidhjeve sociale.
Strategjia e tij ka gjashtë shtylla që përfshijnë përpjekjet për të forcuar infrastrukturën sociale në mesin e komuniteteve.
Ajo thekson edhe nevojën për më shumë transparencë të të dhënave nga firmat e teknologjisë, si dhe për një reformim të mjediseve digjitale.
Sipas doracakut këshillues, vetmia rrit rrezikun e vdekjes së parakohshme për gati 30 për qind, pasi mund të shkaktojë stres te njerëzit, diabet, sulm në zemër apo pagjumësi, raporton “Rel”.
Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha se doracaku është pjesë e përpjekjeve më të gjera të administratës së presidentit Joe Biden për të trajtuar shëndetin mendor.
Maji është muaji i ndërgjegjësimit për shëndetin mendor në ShBA.