Mjeku i Brazilit: Neymari nuk do të jetë në Kupën e Amerikës
Neymari nuk do të mund të marrë pjesë në Kupën e Amerikës 2024, të planifikuar për në qershor dhe korrik në ShBA, për shkak të lëndimit të rëndë të pësuar në tetor.
Këtë e ka bërë të ditur mjeku i kombëtares braziliane. Ylli i “Selecao” u lëndua gjatë humbjes 2-0 kundër Uruguait në Montevideo, në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Ai iu nënshtrua një operacioni në nëntor për këputje të ligamentit të kryqëzuar dhe meniskut në gjurin e majtë.
Duhen të paktën 9 muaj rehabilitim për t’u rikthyer në lojë, pas një lëndim të tillë, nga më të rëndët për një futbollist, ka shpjeguar mjeku brazilian, Rodrigo Lasmar, duke përjashtuar mundësinë që Neymari të marrë pjesë nga data 20 qershor deri më 14 korrik në kompeticionin që bashkon 10 kombëtaret e Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Jugut dhe 6 të Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Veriut, Amerikës Qendrore e Karaibeve.
Mjeku i kombëtares braziliane, megjithatë, është besimplotë për shanset që 31-vjeçari, i cili luan për klubin saudit Al-Hilal, të luajë sërish në nivele të larta.