MJEKU I ENVER HOXHËS SQARON FOTOT ME SALI BERISHËN: JA SI QËNDRON E VËRTETA…

10 gusht 2022 | 21:57

Pas publikimit të fotove të Sali Berishës me Enver Hoxhën ka ardhur edhe reagimi i mjekut të familjes Hoxha, profesor Isuf Kalos, i cili tregon rrethanat si është gjendur Sali Berisha në ato foto.

Sipas Kalos, arsyeja e prezencës së Dr. Sali Berishës ka qenë kryesisht njohja e tij personale me të renë e Enverit, Liljana Hoxhën, e cila ishte aso kohe kryeredaktore e revistës së atëhershme “Shkenca dhe jeta”, në të cilën Berisha ishte njëri prej anëtarëve aktivë të kolegjiumit.

Berisha bashkë me profesor Kalon janë ftuar nga familja Hoxha në një drekë familjare në Pogradec. Në dijeninë time thotë profesor Kalo, lidhjet e asaj kohe të Berishës me banorë të veçantë të Bllokut kanë qenë të natyrës profesionale, pa konotacione të posaçme politike.

“Ndiej detyrë qytetare dhe etike profesionale si ish-mjek personal aso kohe i Enver Hoxhës dhe familjes së tij, prezent së bashku me kolegun tim, dr. Sali Berisha në fotot e botuara sot në shtyp të qartësoj opinion publik lidhur me të vërtetat dhe rrethanat në të cilat ato janë realizuar. Arsyeja e prezencës së dr. Sali Berishës në to ka qenë kryesisht njohja e tij personale me të renë e Enverit, Liljana Hoxhën, e cila ishte aso kohe kryeredaktore e revistës së atëhershme “Shkenca dhe jeta”. Në atë revistë dr. Berisha ishte njëri prej anëtarëve aktivë të kolegjiumit. 

Ajo dhe i shoqi, Sokoli, e patën ftuar miqësisht atë, si edhe mua, që isha përveçse mjek i tyre edhe koleg e mik i Saliut. Ishte një drekë familjare në Valarekë të Pogradecit, si dhe në një shëtitje familjare të përbashkët me varkë që janë ilustruar me fotot respektive. Kjo meqë Berisha njëkohësisht ndodhej aso kohe gjithashtu me pushime ne atë qytet. 

Në foton tjetër ku duken Enveri dhe Nexhmije Hoxha në ecje e sipër dhe njëkohësisht Berisha në sfond, ky ka qenë aty po ashtu i ftuar personalisht bashkë me të ftuarit e tjerë. Ai u ftua aty nga Liljana dhe i shoqi në ambientin familjar të shtëpisë së tyre në Bllok thjesht për urim, pra për t’i uruar ditëlindjen e saj. Koincidoi që Enveri me të shoqen erdhën gjithashtu në atë moment për të uruar të renë. 

Ata vetvetiu përshëndeten siç është zakoni edhe të pranishmit e tjerë aty, ata ndonëse nuk ishin të njohur prej tyre personalisht më parë por pa u interesuar e pa biseduar veçanërisht me asnjërin prej tyre.

E vërteta është qe dr. Sali Berisha ka konsultuar episodiksht si kardiolog disa të sëmurë të Bllokut, por asnjëherë personalisht Enver Hoxhën dhe as familjarët e tij. Në dijeninë time lidhjet e asaj kohe të dr. Berishës me banorë të veçantë të Bllokut kanë qenë të natyrës profesionale, pa kuontitacione të posaçme politike”, shkruan profesor Isuf Kalo.

PUBLIKIMI I FOTOVE

Së fundi janë publikuar për herë të parë fotot e ish-Kryeministrit Sali Berisha, ky i fundit shfaqet në shtëpinë e diktatorit Enver Hoxha. Në fotot e publikuara nga emisioni “Fiks Fare”, Berisha ndodhet në hollin e shtëpisë së Enver Hoxhës, Hoxha aty shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Nexhmije Hoxha. Në një rrëfim për Blendi Fevziun, Berisha pranoi që të ketë pasur oferta për të punuar në Klinikën Speciale por, ai tha se nëse do ta pranonte do të bëhej thjesht një shoqërues i anëtarëve të saj.

Blendi Fevziu: Ka pasur komente këto 30 vite që keni punuar brenda Bllokut. A keni vizituar ju udhëheqës të lartë të Partisë së Punës së Shqipërisë në atë kohë?

Sali Berisha: Është e vërtetë që unë kam vizituar anëtarë të Byrosë Politike, disa, Hysni Kapon, Haki Toskën. Por s’kam qenë kurrë mjek i Klinikës Speciale, nuk kam pranuar kurrë të ndërroj borderonë nga fakulteti dhe spitali.

Blendi Fevziu: E ke pasur si ofertë?

Sali Berisha: E kam pasur sigurisht si ofertë, por nuk kam pësuar asgjë për hir të së vërtetës.

Blendi Fevziu: Pse nuk donit të shkonit si mjek në Klinikën Speciale?

Sali Berisha: Unë isha i pasionuar pas të sëmurëve dhe kërkimeve e shkencore dhe ajo ishte një lloj shndërrimi në shoqërues. Nuk ishte puna ime ajo, unë nuk kam pësuar asgjë nga ky refuzim. Dhe e fundit kjo, unë nuk kam vizituar kurrë në jetën time Enver Hoxhën, dhe kurrë familja Hoxha s’më ka ftuar ndonjëherë të vizitoj Enver Hoxhën.

Blendi Fevziu: A e keni takuar ndonjëherë personalisht Enver Hoxhën?

Sali Berisha: Mund të jem kaluar kështu, por jo që të flas me të personalisht.

Blendi Fevziu: Personalisht nuk keni folur kurrë?

Sali Berisha: Kurrë asnjëherë!

Blendi Fevziu: Po me familjen e tij?

Sali Berisha: As me Nexhmijen asnjëherë. Kam pasur një miqësi të padiskutueshme me të renë e tij, Liljana Hoxhën, dhe djalin e tij, Sokol Hoxhën./panorama.com.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku, ka thënë…