Mjeku nga Australia operon 30 fëmijë me probleme kirurgjike
Në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve po qëndron profesori Peaddy Dewan nga Australia, i cili në bashkëpunim me ekipin e mjekëve nga Klinika e Kirurgjisë Pediatrike, po kontrollon dhe operon fëmijë që kanë probleme të ndërlikuara kirurgjike.
Deri tani, ekipi i udhëhequr nga prof. Dewan, ka operuar 30 fëmijë me komplikime shëndetësore, 30 të tjerë kanë kryer kontrolle mjekësore.
Dr. Dewan ka punuar nga vikendi i kaluar dhe do të punojë edhe këtë vikend, përderisa kjo është hera e dhjetë që ai vjen për të kontribuar për mjekimin e fëmijëve në Kosovë.
Gjatë gjithë kohës në operacione kanë qenë edhe mjekët e Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve.
Për ta falënderuar për punën dhe kontributin e dhënë në Kosovë, prof. Dewan sot është pritur edhe nga drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu.
Ai ka falënderuar profesorin për kontributin e tij dhe ndihmesat që po jep, jo vetëm për të operuar dhe kontrolluar fëmijët, por edhe për trajnim të stafit të Klinikës së Kirurgjisë Pediatrike.
Po ashtu, e falënderoi që falë punës së tij është kursyer edhe buxheti, meqë fëmijët janë operuar në klinikë dhe nuk kanë pasur nevojë të dërgohen jashtë vendi.
/Epoka e re/