Mjeku Pipero: Ja kur do të prodhohet vaksina
Infektologu Pëllumb Pipero ka deklaruar se karantinimi dhe izolimi i popullsisë e ngadalëson transmetimin e virusit, por nuk është zgjidhja, pasi ajo do të vijë nëpërmjet vaksinës.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Zonë e Lirë”, Pipero tha se duke u konsultuar me një studim të fundit mendon se, sipas tij, “vjeshta ose fundi i këtij viti do të na gjejë me një vaksinë të prodhuar”.
Sa i përket gjendjes së pacientëve të infektuar në Shqipëri, Pipero tha se janë shtruar 71 persona, 20 % e të cilëve janë nën 50 vjeç dhe 6 janë të intubuar.
Ai iu përgjigj gjithashtu një pyetjeje që është bërë shpesh këto ditë në lidhje me transmetueshmërinë e virusit nga paratë. Mjeku tha se “njerëzit duhet t’i lajnë duart dhe jo paratë”, duke lënë të kuptohet se kjo mjafton për të qenë më të sigurt.