Mjeku popullor nga Gjilani, që thoshte se ka shpikur ilaçin kundër Covidit, u arrestua
Ekspertëve botërorë, edhe atyre të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, po u konkurron edhe një mjek nga Gjilani, i cili, derisa pretendonte se ka gjetur ilaçin kundër virusit “Korona” dhe ftonte vullnetarë për ta provuar, është arrestuar.
Mjeku popullor, Kadrush Abazi, i cili në një shkrim publikuar në “Facebook” thoshte se e ka gjetur ilaçin për shërimin e të infektuarve nga virusi “Korona”, vetëm se i duhen vullnetarë për ta provuar atë ilaç, është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Abazi kishte publikuar në “Facebook” recetën. Për ta bërë më të besueshëm zbulimin, ai ia kishte bashkangjitur një vendim të Ministrisë së Tregtisë, në të cilin thuhej se atij i njihet patenta për një ilaç bimor që shëron bajamet dhe e lidhte atë me COVID-19. Por, sapo Policia e Kosovës mori këtë informatë, e arrestoi dhe dërgoi në mbajtje për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Gjilan e ka ndaluar mjekun popullor nën dyshimin për veprën penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”, shkruan gazeta “Epoka e re”.
Përveç arrestimit të tij, policia ka konfiskuar edhe barin dhe do të dërgohet për analizë në Institutin Bujqësor të Kosovës.