Mjeku shqiptar rekomandon këto ilaçe për të infektuarit me COVID
Mjeku me origjinë shqiptare, Mario Ademaj, i cili punon në një nga spitalet e Çikago në Shtetet e Bashkuara, në një intervistë për emisionin “Opinion” tha se situata atje është shumë e rëndë.
Ai tha se në Çikago testimi është rezervuar vetëm për ata që kanë sëmundje të tjera shoqëruese që mund ta rrezikojnë jetën e pacientëve, ndërsa personat me simptoma të lehta “po i trajtojmë të tjerët sikur kanë infeksion normal.
“I këshillojmë të rrinë në shtëpi nëse kanë simptoma më të rënda, pastaj i shtrojmë në spital”, tha ai.
Ademaj deklaroi se situata në Çikago po bëhet si në Nju-Jork.
“Ka shumë njerëz të prekur. Këtu po bëhet një nga qendrat epidemike si në Nju-Jork. Në ShBA është pak e vështirë ta vlerësosh situatën sepse është vend shumë i madh. Gjysmën e respiratorëve qysh tani i kemi në përdorim. Do të na rritet fluksi. Frikësohemi se do të vijmë në fazën që të zgjedhim kë ta kurojmë ose jo” tha ai.
Ai dha disa këshilla se çfarë medikamentesh mund të përdorin njerëzit kur kanë simptoma që shkaktohen nga COVID-19. “Për temperaturë këshilloj acetaminofen ose paracetamol, jo ibuprofen. Për kollë, robitussin. Për dhimbje gryke, një gotë me ujë të ngrohtë me gjysmë luge kripe, e bën gar-gar në grykë dy herë në ditë. Në qoftë se fytyra ju bëhet blu ose keni dhimbje në gjoks, merrni në telefon ambulancën për shtrim në spital”, tha mjeku.