Mjetet e privatizimit të destinohen për zhvillim ekonomik
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) në fondet e mirëbesimit ka grumbulluar mbi 842 milionë euro.
Në buxhetin e Republikës së Kosovës janë transferuar mbi 326 milionë euro, dhe sipas Ligjit të AKP-së, këto mjete që transferohen, dedikohen për investime kapitale përkatësisht për zhvillim ekonomik. Ekspertët për çështje të ekonomisë thonë se me këto fonde është dhënë ideja e krijimit të një banke që do të ndihmonte zhvillimin e sektorit privat.
Agjencia Kosovare e Privatizimit ka transferuar në Buxhetin e Republikës së Kosovës mbi 326 milionë euro që janë destinuar për zhvillim ekonomik të vendit. Kështu i ka thënë “Radio Kosovës”, Ylli Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Ai ka thënë se totali i hyrjeve të gjithëmbarshme në fondet e mirëbesimit është mbi 842 milionë euro.
“Prej kësaj shume, për punëtorët e kualifikuar të ndërmarrjeve shoqërore janë shpërndarë deri më tani 130 milionë e 465 mijë e 303 euro nga pjesa e 20 për qind. Për kreditorët legjitimë të ndërmarrjeve shoqërore nga fondi i përgjithshëm është shpërndarë një shumë prej 26 milionë e 468 mijë e 967 euro. Kurse në Buxhetin e Republikës së Kosovës janë transferuar 326 milionë e 719 mijë e 004 euro, dhe sipas Ligjit të AKP-së, këto mjete transferohen në buxhetin e Kosovës si të dedikuara për investime kapitale për zhvillim ekonomik”, ka thënë Kaloshi.
Ekspertë për çështje ekonomike vazhdimisht kanë kërkuar kthimin e këtyre mjeteve në Kosovë dhe investimin e tyre në zhvillim të ekonomisë. Sipas kryetarit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Skënder Krasniqi, paratë e grumbulluara nga procesi i privatizimit, mund të investohen në një bankë për zhvillim ekonomik që do të ndihmonte biznesin.
“Të krijohet një bankë e zhvillimit ekonomik që të ndihmojë bizneset por njëkohësisht këto mjete do të jenë më të sigurta se sa ku janë tani”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, me ardhjen e këtyre mjeteve dhe destinimin e tyre për zhvillim ekonomik, biznesi do të ketë kushte më të mira dhe kamata më të volitshme, por siç ka thënë ai, duhet të jetë vullneti i Kuvendit të Kosovës që të udhëzojë apo rekomandojë AKP-në lidhur me këtë çështje. “Arsyetimi se është rrezik të investohet në Kosovë me këto fonde të procesit të privatizimit, është i paqëndrueshëm”, ka thënë Krasniqi.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gerxhaliu, ka thënë se mjetet e alokuara në Buxhetin e Kosovës nga agjenci të ndryshme, duhet të dedikohen në mbështetje të sektorit privat dhe zhvillim ekonomik.
Sipas tij, do të ishte gabim i madh nëse investohet me këto mjete në infrastrukturë apo ndërtim të ndonjë objekti. Në fondet e mirëbesimit që administrohet nga AKP-ja aktualisht janë 267 milionë e 298 mijë e 622 euro.