Mjetet piroteknike të bezdisshme, 171 mijë kg janë importuar në Kosovë
Sa herë afrohet Viti i Ri, krismat me mjetet piroteknike bëhen më të shpeshta. Në rrugë, sheshe, por edhe ballkone, shpërthimi, por edhe lehtësia e fëmijëve që t’i blejnë ato në markete, janë shndërruar në bezdi për qytetarët.
Psikologët e shohin me shqetësim tërë këtë situatë, pasi, bazuar edhe në të dhënat e Doganës, në vend janë importuar 171 mijë kilogram mjete piroteknike.
“Ta gjuajnë vend e pa vend, ka pasoja sidomos për ne që jemi të vjetër, është edhe stresi”, ka deklaruar një banore e Prishtinës.
Një qytetar tjetër për RTK-në ka thënë se mjetet piroteknike rrezikojnë shtatzënat dhe të moshuarit. Disa të tjerë thonë se tashmë janë mësuar me këto krisma. E të tjerë, se po mbesin edhe pa gjumë për shkak të tyre.
E sipas psikologëve, meqë fishekzjarrët pëlcasin, atëherë kur nuk pritet, ato japin ndjesinë e rrezikut.
“Duke e pasur parasysh që zakonisht, mjetet piroteknike fishekzjarret, pëlcasin atëherë kur nuk pritet ato i japin ndjesinë e rrezikut që është problematike për personat që nuk i presin ato, posaçërisht është problematike për njerëzit që kanë përjetime traumatike, përjetime të dhunës, stres postraumatik”, ka thënë për RTK-në psikologu Naim Telaku.