MKRS-ja, 2 milionë euro për katër projekte në Rahovec
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, vizitoi Komunën e Rahovecit ku është pritur nga kryetari Smajl Latifi.
Gashi dhe Latifi nënshkruan katër memorandume bashkëpunimi, përmes së cilëve parashihet të ndërtohet Stadiumi i Qytetit dhe Palestra Sportive në Rahovec, po ashtu, në kuadër të këtyre memorandumeve do të ndërtohet edhe një stadium në Ratkoc dhe palestra Sportive në Krushë të Madhe, transmeton “kp”.
Latifi ka thënë se bashkë më ministrin u dakorduan që sivjet të përfundojnë punimet në Palestrën Sportive të Rahovecit, e cila ka nisur që në vitin 2011. Ai njoftoi që vlera financiare e këtyre katër projekteve është dy milionë euro.
Ndërsa numri një i MKRS-së, Kujtim Gashi bëri të ditur si ministri janë të interesuar që ndërtimet në palestrën e Rahovecit t’i përmbyllin sivjet. Ai premtoi mbështetje të plotë për komunën e Rahovecit dhe njoftoi që pos këtyre projekteve në fushën e sportit, do të investojnë edhe në shtëpinë muze të Ukshin Hotit si dhe shtëpinë ku u masakruan banorët e Krushës gjatë luftës. Për këtë të fundit, Gashi ka thënë se planifikojnë ta shndërrojnë në një muze të kujtimeve kolektive.