MKRS-ja dhe FFK-ja: Ejani ta nderojmë legjendën Fadil Vokrri

13 gusht 2018 | 11:28

Ministria e Sportit dhe Federata e Futbollit po dëshirojnë që përurimi i stadiumit “Fadil Vokrri” të bëhet në mënyrë sa më madhështore, prandaj i kanë ftuar tifozët dhe qytetarët të jenë në numër sa më të madh. “Nëse ka individ që duhet të falënderohet në Kosovë për këtë vepër është i ndjeri Fadil Vokrri”, ka thënë ministri Kujtim Gashi.

Stadiumi “Fadil Vokrri” do të hapet sonte (e hënën) me ndeshjen finale të Superkupës, Prishtina – Drita. Ministri Kujtim Gashi në konferencë për medie, një ditë para ndeshjes, ka bërë thirrje që sa më shumë shikues të jenë të pranishëm të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“I ftoj të gjithë sportdashësit dhe qytetarët të jenë në stadium dhe të festojmë në këtë ngjarje të madhe sportive, në këtë stadium që i plotëson kriteret e UEFA-s. U bëj thirrje ‘Dardanëve’, ‘Plisave’ dhe tifozëve të tjerë që të festojmë dhe ta ruajmë këtë pasuri, sepse kemi investuar si Qeveri e Kosovës dhe kemi qenë jashtëzakonisht të përkushtuar që stadiumi t’i plotësojë të gjitha kriteret e kërkuara nga UEFA. Është lojë testuese, por shumë e rëndësishme për sportin në Kosovë, se mund ta marrim dritën jeshile që në këtë stadium të zhvillohen edhe ndeshjet e tjera”, ka thënë ministri Gashi, i cili më pas ka falënderuar legjendën tashmë të ndjerë, Fadil Vokrrin, për punën e bërë në rregullimin e këtij stadiumi. “Nëse ka individ që duhet të falënderohet në Kosovë për këtë vepër është i ndjeri Fadil Vokrri”, ka thënë Gashi.

Numri një i MKRS-së e vlerësoi hapjen e stadiumit si një moment historik: “Të hënën do ta shënojmë njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme në Kosovë. Ky është një moment sa emocional aq edhe krenar për të gjithë neve që kemi qenë të përfshirë në këtë proces. Ky është një investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, një përpjekje e jona e vazhdueshme për ta avancuar infrastrukturën sportive në vend”.

Më herët edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka ftuar qytetarët të jenë të pranishëm në numër sa më të madh në përurimin e stadiumit “Fadil Vokrri”. “Kjo është një ndeshje testuese dhe do të organizohet sikur të ishte ndeshje ndërkombëtare. U bëj thirrje qytetarëve të jenë në numër sa më të madh në stadium, pasi do të kenë mundësi ta shohin tërë atë mrekulli që është bërë në stadium dhe do të jenë tepër komodë për ta kaluar një mbrëmje afër futbollit. Në këtë ndeshje do të bëhet testimi nga inspektorët e UEFA-s, të cilët, më pas, nëse jepet drita e gjelbër, do të dorëzohet edhe certifikata tek pronari i stadiumit që është Komuna e Prishtinës”, ka deklaruar Ademi.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri turk i Financave, Berat Albayrak, ka thënë se Qeveria…