MKRS-ja dhe UNICEF-i vazhdojnë bashkëpunimin në projektet për rininë
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur të martën në kabinetin e tij, udhëheqësin e ri të zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin.
Ministri Gashi fillimisht i ka uruar mirëseardhje dhe e ka falënderuar për vizitën e tij. Gjithashtu Gashi e ka uruar Sahin për pozitën e tij të re si udhëheqës i zyrës së UNICEF-it në Kosovë dhe e ka falënderuar për gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar në realizimin e projekteve të përbashkëta për rininë.
Konkretisht në këtë takim u bisedua rreth vazhdimit të bashkëpunimit të MKRS-së dhe UNICEF-it në krijimin e platformës për njohjen e punës vullnetare.
“Në këtë platformë janë regjistruar mbi 3000 vullnetarë dhe afër 100 OJQ. Duke parë suksesin e platformës për vullnetarë është paraparë edhe një platformë për ekstremizmin dhe radikalizmin ku dhënia e grandeve do të jetë transparente”, ka thënë Gashi.
Ndër të tjera ministri e ka njoftuar udhëheqësin e UNICEF-it edhe për hapat që janë ndërmarr nga ana e MKRS-së për përgatitjen e Strategjisë për Rini, draftin e së cilit tashmë MKRS-ja e ka të përfunduar.
“Realizimi i projekteve të përbashkëta me UNICEF-in, konsiston edhe me politikat tona si ministri dhe ky bashkëpunim ka sjell sukses në aktivizimin e rinisë. Përmes realizimit të projekteve të tilla, ne po përmbushim edhe zotimet tona për përfaqësim të interesave të rinisë së vendit”, ka thënë ministri Gashi.
Në anën tjetër, udhëheqësi i ri i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, ka falënderuar ministrin Gashi për pritjen e tij.
Ai u shpreh i gatshëm për të vazhduar punën e përbashkët në mënyrë që ky bashkëpunim të ndikojë në realizimin e projekteve në fuqizim të rinisë së Kosovës.
/Epoka e re/