MKRS-ja dhe UNK-ja do të bashkëpunojnë në projekte konkrete për rini
Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur në takim koordinatoren për zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Ulrika Richardson, me të cilën ka diskutuar për situatën me të cilën po përballen institucionet e kulturës, rinisë e trashëgimisë me situatën në kohë të pandemisë.
Ato kanë biseduar edhe për politikat dhe programin që MKRS-ja ka për rininë dhe për përfshirjen e UNKT-së në projekte konkrete që do të realizohen në të mirë të të rinjve të Kosovës.
Dumoshi e ka falënderuar Richardsonin, që ndonëse në kohë pandemie ka gjetur kohën t’i ndodhet pranë institucioneve të Kosovës, në veçanti Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke treguar gatishmërinë për të dëgjuar për sfidat dhe planet me të cilat përballet dhe merret MKRS-ja.
Ministrja Dumoshi e ka falënderuar përfaqësuesen Koordinatoren për Zhvillim të OKB-së, Richardson, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e deritashme që kanë dhënë për MKRS-në dhe u shpreh se e mirëpritet ndihmën dhe gatishmërinë e UNKT-së për ta përkrahur MKRS-në dhe fushat e kulturës, rinisë, sportit e të trashëgimisë në vendin tonë, qoftë drejtpërdrejtë por edhe në bashkëpunim edhe me organizatat tjera ndërkombëtare.
Ndërsa përfaqësuesja e UNKT-së, Ulrika Richardson, e ka ofruar gatishmërinë për bashkëpunim me qëllim të përkrahjes më të madhe të organizatave që vijnë nga fushat e kulturës, rinisë, sportit e të trashëgimisë.
Richardsoni ka theksuar se ekipi e të cilin ajo e përfaqëson është e interesuar të përkrahë MKRS-në në fushat e rinisë dhe të trashëgimisë dhe u shpreh se është i nevojshëm vazhdimi dhe fuqizimi i mëtejmë i bashkëpunimit mes UNKT-së dhe MKRS-së.