MKRS-ja dhe UP-ja nënshkruajnë memorandum për bursa studimi për trashëgiminë kulturore
Studentët e Universitetit të Prishtinës nga sot do të kenë mundësinë e përkrahjes për specializim në fushën e trashëgimisë kulturore. Për këtë u nënshkrua memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i cili ua mundëson studentëve të UP-së sigurimin e bursave me qëllim të aftësimit dhe avancimit në programet e specializuara për trashëgimi kulturore.
Memorandumi u nënshkrua me qëllim të zbatimit të programit për ofrimin e bursave për studime nga studentët që janë shtetas të Republikës së Kosovës, përkatësisht studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në universitetet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe rektori Marjan Dema, nënshkruan memorandumin bashkëpunimit i cili konkretisht parasheh bursa për studentët e shkencave arkeologjike deri në katër bursa; antropologji fizike dhe/apo biologjike deri në dy bursa; antropologji kulturore apo/dhe linguistike një bursë; arkeologji klasike ose Histori e Artit-deri në një bursë; arkitekturë/konservim restaurim deri në një burse.
Procesi i aplikimit dhe pranimit do të zhvillohet në dy faza, atë të selektimit të kandidatëve dhe fazën e intervistave.
Ministrja Dumoshi në fjalën e saj u shpreh se është një nder të jetë prezentë në Rektorat për të kryer ceremoninë e nënshkrimit të këtij memorandumi dhe tha se kjo është marrëveshja e tretë që MKRS-ja nënshkruan me UP-në.
Ndërkaq, Rektori i Universiteti të Prishtinës, Marjan Dema, tha se është në përfundim të mandatit të tij dhe nënshkrimi i kësaj marrëveshje në përfundim të detyrës ka një domethënie të madhe pasi që MKRS-ja i ka kushtuar një rëndësi të madhe Universitetit “Hasan Prishtina” ku studiojnë 42 mijë studentë.
(Qendresa Rama / Epoka e re)