MKRS-ja e mbështet Qendrën Nacionale të Basketbollit

19 nëntor 2021 | 19:06

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka jetësuar projektin e Qendrës Nacionale të Basketbollit, që ka filluar më 18 tetor, ku janë grumbulluar basketbollistët më të mirë nga e tërë Kosova.

Ata janë akomoduar në Prishtinë dhe po stërviten nga dy herë në ditë, ku do të zhvillojnë edhe ndeshje miqësore vendore dhe ndërkombëtare, kurse të gjitha shpenzimet e këtij mbulohen nga FBK-ja. Kjo është hera e parë në vendin tonë që po organizohet një projekt i tillë si Qendra Nacionale e Basketbollit, ku edicionin e ardhshëm pritet të grumbullohen edhe vajzat.

Projekti nga FBK-ja është katërvjeçar dhe synon të nxjerrë talente që do t’u shërbejnë kombëtareve të Kosovës dhe basketbollit të Kosovës.

“Ky është një projekt madhor dhe shumë i rëndësishëm për basketbollin e Kosovës, ku do të grumbullohen lojtarët/et me potencial për të ardhmen, e më pas do të jenë pjesë e kombëtareve të Kosovës, por në të njëjtën kohë është edhe projekt që do të ndihmojë edhe klubet prej nga vijnë këta lojtarë. FBK gjithmonë u ka kushtuar rëndësi gjeneratave të reja dhe ky është projekti i radhës, që gjeneratat e reja të zhvillohen edhe më shumë. Për këtë arsye projektin e ka mbështetur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), që vazhdimisht e ka ndihmuar basketbollin e Kosovës, falë projekteve serioze dhe qasjes tonë për zhvillimin e talenteve të reja”, ka thënë Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e FBK-së.

“Federata e Basketbollit e Kosovës ka aplikuar në thirrjen publike për ofrimin e mbështetjes financiare publike për OJQ-të e fushës së sportit (Pakoja e Ringjalljes Ekonomike), dhe duke marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për një projekt serioz dhe të përgatitur deri në detaje, MKRS-ja e ka mbështetur FBK-në financiarisht për implementimin e këtij projekti. MKRS-ja e mbështet këtë projekt financiarisht, por e ka mbështetur që nga ideja për themelimin e kësaj qendre, që është e para dhe e vetmja në vendin tonë, andaj ne i falënderojmë institucionet tona sportive për këtë përkrahje dhe premtojmë se qasja jonë do të vazhdojë të jetë serioze dhe profesionale për implementimin e këtyre projekteve madhore”, ka shtuar Dushku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Yll Zekaj nga Instituti për Drejtësi i Kosovës i ka…