MKRS-ja ia ndan 10 mijë euro Fondacionit “Ibrahim Kodra”
Në kabinetin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, është nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi me “Ibrahim Kodra-Swiss Foundation”.
Qëllimi i këtij memorandumi është mbështetja financiare për aktivitetet e arkitektëve të rinj nga Kosova me rastin e pjesëmarrjes në ngjarjen kolaterale “New Urbanistic” në Bienalen e Arkitekturës së Venedikut për vitin 2018, për promovimin dhe përkrahjen kulturore, gjatë vitit 2018.
Sipas këtij memorandumi, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për “Ibrahim Kodra Swiss Foundation” ndan mjetet financiare në vlerë prej 10 mijë euro.
Kryetarja e këtij fondacioni, Maria Pacolli, ka falënderuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetjen e dhënë duke theksuar se kjo mbështetje financiare ka rëndësi të veçantë për arkitektët e rinj të cilët do të jenë një përfaqësim i denjë në Bienalen e Arkitekturës së Venedikut për vitin 2018.