MKRS-ja investon 25 mijë euro në fushat sportive në Kërpimeh
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar sot Komunën e Podujevës. Dumoshi ka nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit me kryetarin e Podujevës, Nexhmi Rudari, për fushat sportive në Kërpimeh, të cilat janë investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në vlerë prej 25 mijë eurosh, projekt ky që do të implementohet gjatë vitit 2020.
Ministrja Dumoshi ka thënë se ndihet tepër e lumtur që pati rastin ta vë gurthemelin në Kërpimeh si ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qeverinë Mustafa dhe që po e sheh këtë projekt të jetësuar në këtë mandat. Ky përkushtim tregon edhe gatishmërinë e qeverisë Hoti për ta përkrahur rregullimin e infrastrukturës sportive, gjithmonë në dobi të qytetarëve të Kosovës.
Kryetari Rudari në anën tjetër e falënderoi ministren Dumoshi për vizitën në Podujevë dhe u shpreh shumë i kënaqur që kjo komunë është prioritet për MKRS-në sepse vërtet qytetarët e Podujevës kanë nevojë për kushte më të mira sportive, rinore e kulturore. Vizitën në Podujevë ministrja Dumoshi e vazhdoi bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, me të cilin shpërndau maska në kuadër të projektit “Be with us”, projekt ky i mbështetur nga Ambasada e Japonisë në Kosovë, UNICEF dhe organizata PEN. Ministrja Dumoshi e ka zhvilluar këtë aktivitet në funksion të respektimit të masave anti – Covid 19 për sensibilizimin e qytetarëve e sidomos të rinjve për luftimin e pandemisë.