MKRS-ja jep çmimet vjetore për letërsi, këta janë laureatët
Sot në Ministrinë e Kulturës është organizuar ceremonia e dorëzimit të Çmimit Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe për Çmimet Vjetore për Letërsi për vitin 2022.
Juria, e kryesuar nga Osman Gashi dhe me anëtarët Bardh Rugova, Rrahman Paçarizi, Gëzim Aliu dhe Azem Deliu, pasi i ka lexuar librat dhe veprat konkurrente për çmimet vjetore dhe nominimet e pranuara për Çmimin për Vepër Jetësore, ka vendosur që:
Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Azem Shkreli” t’i jepet Zejnullah Rrahmanit;
Çmimi për Veprën më të Mirë në Prozë “Anton Pashku” t’i jepet Veli Karahodës për romanin “Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit”, botim i shtëpisë botuese “Buzuku”;
Çmimi për Veprën më të mirë në Poezi “Ali Podrimja” t’i jepet Sabit Bajraktarit për librin “Noah”, botim i shtëpisë botuese “Rozafa”;
Çmimi për Vepër më të Mirë në Kritikë dhe Estetikë “Ibrahim Rugova” t’i jepet Haqif Mulliqit për librin “Henrik Ibsen – fryma e parë e modernes”, botim i shtëpisë botuese “Armagedoni”;
Çmimi për Vepër më të Mirë të Përkthyer nga gjuha e huaj në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” t’i jepet Meliza Krasniqit për përkthimin e librit “Arti i fiksionit” të David Lodge, botim i shtëpisë botuese “Armagedoni”. /EPOKA E RE/