MKRS-ja memorandum bashkëpunimi me FFK-në
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe nënkryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi në mes MKRS-së dhe FFK-së.
Sipas këtij memorandumi, Federata e Futbollit do të mbështetet financiarisht me mbi 250 mijë euro nga ana e Ministrisë së Sportit. Kjo mbështetje financiare bëhet me qëllim të realizimit të objektivave dhe synimeve të Federatës për vitin 2018, përkatësisht për realizimin e politikave programore për avancimin e sportit femërorë, për mjekësinë sportive, për avancimin e sportit cilësor, për zhvillimin e aktiviteteve sportive të karakterit ndërkombëtar brenda dhe jashtë vendit, për zhvillimin e aktiviteteve sportive për minoritetet dhe sportin multietnik, për zhvillimin e aktiviteteve sportive për personat me aftësi të kufizuara, si dhe për zhvillimin e kapaciteteve menaxhuese në kuadër të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Federatave të sportit.
Ministri Gashi, ka thënë se ky memorandum u nënshkrua në pajtim me dispozitat e Ligjit për Sport dhe akteve tjera nënligjore të përcaktuara nga MKRS-ja.
“Kjo mbështetje financiare për Federatën e Futbollit bëhet me qëllim që Federata të ketë mundësi të realizojë programin e saj për vitin 2018. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të vazhdojë në mbështetjen financiare të sportit dhe Federatave në vend, sepse duke mbështetur financiarisht federatat dhe sportistët, po realizohen politikat programore për sportin”, ka thënë Gashi.
Ndërkaq nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, u shpreh i kënaqur për nënshkrimin e këtij memorandumi. Ai falënderoi ministrin dhe e përgëzoi për punën që po bën në mbështetje të sportit në vend.
/Epoka e re/