MKRS-ja ndan 9 milionë euro për renovimin e stadiumit në Gjakovë
Ministri i Sportit, Hajrulla Çeku ka njoftuar se Ministria e Sportit do t’i ndajë 9 milionë euro për renovimin e stadiumit të qytetit në Gjakovë. Sot është bërë nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit mes MKRS-së dhe Komunës së Gjakovës.
“Stadiumi i qytetit në Gjakovë do të rinovohet. Për ta bërë të mundur këtë kemi ndarë 9 milionë euro. Sot kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Komunën e Gjakovës, përmes së cilës ne kemi zotuar gjithë buxhetin e nevojshëm për përfundimin e stadiumit, ndërsa komuna ka për obligim zhvillimin e procedurave të prokurimit, punët ndërtimore si dhe mbikëqyrjen teknike. Futbollistët dhe qytetarët e kësaj komune dhe më gjerë do të kenë stadiumin e merituar, me kushte të dinjitetshme për të zhvilluar aktivitetet sportive dhe ndjekur ndeshjet e ekipeve të preferuara”, ka shkruar ministri Çeku në “Facebook”.