MKRS-ja ndan çmimet për letërsi dhe për vepër jetësore
17 shkurt 2020
| 12:11
Sot, më 17 shkurt 2020, për nder të 12-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të organizojë ceremoninë e ndarjes së çmimeve për letërsi dh për vepër jetësore dhe çmimet tjera vjetore për vitin 2019. Ceremonia do të mbahet në kabinetin e ministres Vlora Dumoshi, duke filluar nga ora 13:00.
Juria profesionale e kësaj ministrie e cila ka bërë vlerësimin ka vendosur që çmimet t’u ndahen si vijon:
- Çmimi Kombëtar Letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” t’i jepet znj. Sabile Keçmezi – Basha;
- Çmimi për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” t’iu jepet z. Rrahman Paçarizi për veprën “Shtatë udhë” dhe znj. Albina Idrizi për veprën “Përsëri mars”;
- Çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” t’iu jepet z. Xhevdet Bajraj për vëllimin “Kur qajnë hardhitë” dhe z. Nexhat Rexha për vëllimin “Duke kërkuar hijen tënde”;
- Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” t’i jepet z. Berat Daka (Armagedoni) për studimin “Dramat e Qosjes”;
- Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” t’i jepet z. Isa Memishi për përkthimin e romanit “Guaska” të Mustafa Halifas; dhe
- Çmimi për veprën më të mirë për fëmijë e të rinj “Vehbi Kikaj” t’i jepet z. Januz Fetahaj për veprën “Libri i përrallave të gjyshit”.
Siç dihet pos çmimit kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli”, që ka vlerën financiare 5 mijë euro, çmimet e tjera kanë vlerën monetare prej 2.500 eurosh.