MKRS-ja ndau çmimet për letërsi
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në një ceremoni solemne, ka bërë ndarjen e Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe për Çmimet Vjetore për Letërsi.
Çmimi Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” i ndahet Ibrahim Kadriut, krijimtaria e të cilit përfshin më shumë se 50 vepra letrare, ndër të cilat bëjnë pjesë gjini dhe zhanre të ndryshme letrare dhe shkrimore, si: romane, novela, tregime, drama, poezi, kritike letrare, eseistikë.
Ibrahim Kadriu si shkrimtar karakterizohet për origjinalitetin e tij, me tema shumë interesante, që në përgjithësi janë në frymën kombëtare, që e edukojnë brezin e ri.
Ky çmim ka vlerë financiare prej pesë mijë eurosh.
Çmimi për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” për vitin 2018 iu ndahet autorëve Sali Bytyçi për veprën “Gjunjët” dhe Florin Kelmendi për veprën “Vrasje në kornizë”.
Sali Bytyçi me veprën e tij në prozë “Gjunjët” shfaqet si një Kafkë i shekullit XXI, i cili lexuesit i jep një dëshirë të pangopur për t’i lexuar tregimet e tij.
Romani “Vrasje në kornizë” e Florim Kelmendit karakterizohet për gjuhën, kompozicionin, mënyrën e përhapjes së karaktereve të personazheve, tematikën dhe mbi të gjitha mesazhet artistike që përçohen te lexuesit.
Ky çmim shpërblehet me vlerë monetare prej njëmijë e dyqind e pesëdhjetë eurosh për secilin autorë.
Ndërkaq, Çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” u nda përgjysmë për shkrimtarët:
Merxhan Avdyli për veprën “As engjëll as djall” dhe Çun Lajçi për veprën “Çakorr, ti vdekje e mirë”.
Merxhan Avdyli përmes përmbledhjes me poezi “Si engjëll si djall” ka sjellë mënyrën e veçantë të përjetimit, që e kalon kohën e kaluar në kohën e sotme si nostalgji, ndërsa përjetimin e tashmë si petkun poetik. Çun Lajçi me përmbledhjen poetike “Çakorr, ti vdekje e mirë” ka paraqitur shoqërimin e revoltës së procesit nëpër të cilën ka kaluar Kosova.
Ky çmim ka vlerën monetare prej njëmijë e dyqind e pesëdhjetë eurosh për secilin autorë.
Juria ka vlerësuar se për këtë vit Çmimi për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kikaj” t’i ndahet autorit Avdush Canaj për veprën “Planeti i buzëqeshjes”.
Vëllimi poetik “Planeti i buzëqeshjes” i poetit Avdush Canaj është një prurje e suksesshme e këtij autori, zotërimi i të cilit është në nivel për t’u lakmuar.
Çmimi shoqërohet me një shpërblim në vlerë financiare prej dymijë e pesëqind eurosh.
Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” për vitin 2018 iu ndahet autorëve Sali Bashota për veprën “Enigma e shkrimit” dhe Haqif Mulliqi për veprën “Teatri, drama dhe identiteti kulturor në Kosovë”.
Sali Bashota përmes veprës me kritikë letrare “Enigma e shkrimit” synon trajtimin e temave dhe fenomeneve letrare përmes kriterit vlerësues dhe kriterit estetik për të evidentuar dhe konceptuar veçoritë e reja të kuptimit mes krijimit të letrës dhe mendimit kritik.
Haqif Mulliqi përmes veprave kritike “Teatri, dramat dhe identiteti kulturor në Kosovë” para lexuesve sjell një gjini letrare gati të harruar nga krijuesit shqiptarë. Autori i librit, si studiues i teatrit dhe dramës, vë në pah zhvillimin e dramaturgjisë te ne, por edhe mangësitë e kritikës së artit dhe gjendjen e vështirë të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ky çmim shoqërohet me shpërblimin prej njëmijë e dyqind e pesëdhjetë eurosh për secilin autorë.
Kurse Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” iu nda autorit Alfred Beka për veprën e përkthyer “Peizazh me rënien e Ikarit”.
Kjo vepër është përkthimi i parë i tij dhe pikërisht për këtë të le të përshtypje të madhe si për njohjen e thellë të gjuhës që ka, si për ruajtjen e realitetit. Edhe ky çmim shpërblehet financiarisht në vlerë prej dymijë e pesëqind eurosh.
Me këtë rast ministri Gashi ka thënë se çmimet e ndara i ka cilësuar si një mirënjohje të institucioneve për punën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarëve dhe autorëve tanë dhe përkrahja e Ministrisë konsiderohet edhe si një nxitje për rritjen e vlerave të mirëfillta artistike. “Unë si ministër e vlerësoj lart ndarjen e këtyre çmimeve për letërsi, sepse besoj se duke ndarë këto çmime në baza të rregullta vjetore ne i kontribuojmë edhe stimulimit dhe nxitjes së krijuesve të shkruajnë dhe ta pasurojnë artin e fjalës sonë të shkruar”, ka thënë Gashi.
MKRS-ja çdo vit ka rritur përkrahjen për botimin, blerjen dhe shpërndarjen e librit si një politikë kulturore e cila ka për synim avancimin dhe intensifikimin e artit letrar në vendin tonë.
Fituesit e këtyre çmimeve e falënderuan ministrin Gashi për mbështetjen e vazhdueshme karshi shkrimtarëve.
/Epoka e re/