MKRS-ja nënshkruan memorandum me komunën e Kaçanikut
Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Vlora Dumoshi dhe kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për mbështetje financiare për projektin “Fusha ndihmëse në Kaçanik” i cili do të implementohet në këtë vit.
Në bazë të këtij memorandumi, MKRS-ja merr përsipër ta përkrahë financiarisht projektin, ndërsa komuna bashkë me këtë ministri do të kujdesen për implementimin e projektit në fjalë.
Në takimin e zhvilluar në mes të Dumoshit dhe Ilazit, është biseduar edhe për projektet konkrete që do të implementohen në Kaçanik.
Dumoshi ka theksuar se është e rëndësishme që në këtë kohë të vështirë projektet të trajtohen sa më me kujdes e me prioritet dhe të cilat i plotësojnë nevojat primare të qytetarëve.
Me realizimin e këtij projekti të fushës ndihmëse, sportistët e Kaçanikut do të kenë edhe një hapësirë tjetër ku t’i kryejnë aktivitetet e tyre sportive.
Ndërsa kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, e ka falënderuar ministren Dumoshi për përkrahjen ndaj komunës që drejton, duke u shprehur se vazhdimisht MKRS-ja dhe Komuna e Kaçanikut kanë pasur një bashkëpunim shumë të mirë.