MKRS-ja Panairin e Vjetër po përpiqet ta ngufasë, Drejtoria e Kulturës e Prishtinës ta shuajë

04 gusht 2024 | 08:08

Koordinatori i aktiviteteve letrare i Panairit të Librit të Vjetër të Rrallë dhe të Përdorur, Berat Dakaj, në llogarinë e vet në “Facebook” ka shprehur pakënaqësi ndaj Drejtorisë së Kulturës të komunës së Prishtinës dhe ndaj Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), për subvencionet e sivjetme në  fushën e kulturës. Ai ka thënë se MKRS-ja po përpiqet ta ngufasë Panairin e Librit të Vjetër, kurse Drejtoria e Kulturës e komunës së Prishtinës ta shuajë. Reagimit publik Dakaj i ka bashkëngjitur disa fotografi nga edicionet e kaluara të panairit. Më poshtë reagimi i tij:

“Drejtoria e Kulturës e komunës së Prishtinës dje i ka shpallur rezultatet e fazës së parë të thirrjes publike për subvencionim të projekteve kulturore, sportive, rinore etj. Rezultatet e thirrjeve publike të subvencioneve i ka shpallur që disa ditë edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS-ja). Listat e përfituesve dhe atyre të refuzuar i pashë që të gjitha. Si çdoherë tjetër, rëndësi më të madhe anëtarët e komisioneve vlerësuese të komunës dhe ministrisë po u japin jo projekteve (përmbajtjes së tyre), por emrave të bartësve të projekteve, lidhjeve shoqërore dhe partiake të tyre. Të njëanshëm, sa të duash. Të paanshëm, aspak. (Mbase do të shpërthente ndonjë konflikt interesi po qe se do të publikoheshin emrat e anëtarëve të komisioneve vlerësuese). Komuna e Prishtinës sivjet ka përkrahur festivale poetike njëditore rreth 6 000.00 euro. Ka përkrahur botim të librit po kaq. Ka përkrahur projekte të tilla, me shumë edhe më të mëdha, edhe MKRS-ja. Ndërkaq festivalet dhe organizimet tradicionale, që edhe zgjasin gjatë, edhe kushtojnë shumë, edhe duhet mund i madh për organizim të tyre dhe, po ashtu, staf i madh mbështetës, komuna dhe ministria po përpiqen t’i ngufasin dhe t’i shuajnë. Për shembull, Panairin e Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, edicionin V, MKRS-ja po përpiqet ta ngufasë (jo ministri Çeku), Drejtoria e Kulturës e komunës së Prishtinës ta shuajë (jo drejtoresha e saj, Sibel Halimi). Përgjegjësinë për ngufatje dhe shuarje të këtij panairi e kanë marrë anëtarët e komisioneve vlerësuese. Sigurisht, po t’i shihja emrat e atyre që kanë bërë përzgjedhjen e projekteve, do të dija nëse ndonjëri prej tyre ka qenë në ndonjërin edicion të panairit dhe në ndonjërin aktivitet të panairit. Meqë emrat e tyre nuk janë publikuar, mund të them se për organizimin e katër edicioneve të panairit të librit të rrallë nuk kanë pasur as sy, as veshë, as gojë asnjëri anëtar i komisionit të komunës, se po ta kishin ndonjërin a ndonjërën, do ta mbështetnin sikurse e kanë mbështetur vite më parë anëtarët  e tjerë. 26 kronika kanë bërë televizionet për katër edicionet e tij, kurse 47 artikuj i kanë shkruar mediet elektronike dhe fizike për të. Si nuk kanë lexuar, si nuk kanë parë dhe dëgjuar asnjë kronikë, asnjë artikull, anëtarët e komisionit vlerësues? Kaq të painformuar i kanë përzgjedhur komuna dhe MKRS-ja? Se ka qenë dhe se do të jetë edhe më tutje ngjarje e veçantë kulturore, anëtarëve të komisioneve vlerësuese sa për sy e faqe u them se edicionet e kaluara të këtij panairi, përpos mijëra qytetarëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, i kanë vizituar kryeministri Kurti, presidentja Osmani, ministra, deputetë… e ka vizituar edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili, të gjithë koleksionuesve të librave të vjetër në panair, u pati premtuar: “Këtë panair të veçantë të librit do ta mbështesim gjithmonë. Nëse doni, nëse organizoheni, edhe çdo muaj. Prishtinën dëshirojmë ta bëjmë kryeqytet të librit antikuar”. Kryetar, çfarë ndodhi? Meqë e di që s’të ka rënë në dorë lista e përfituesve dhe e të refuzuarve, do të ishte mirë ta shfletoje atë listë dhe ta mbaje fjalën! Po kështu si kryetari i Prishtinës, listën e subvencioneve të MKRS-së duhet ta shohë edhe ministri Çeku, i cili, meqë ka udhëhequr dikur organizatë joqeveritare, e di sa bëhen shpenzime për festivale, kryeministri i të cilit i ka vizituar edicionet e këtij panairi dhe ka shkruar në librin e përshtypjeve këto fjalë (shih foton):

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtria e Ukrainës ka njoftuar se ka sulmuar dhe shkatërruar…