MKRS-ja po përpiqet ta bëjë “Pjetër Bogdanin” me drejtor
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës ka rishpallur konkursin për drejtor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Një muaj më parë konkursi i parë pati dështuar, pasi asnjëri prej shtatë kandidatëve të testuar, disa prej tyre doktorë shkence dhe udhëheqës të institucioneve publike, nuk kishin arritur të merrnin 50 poenë, në mesin e tyre as ish-drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, as ushtruesja e detyrës së drejtorit, Bukurije Haliti. E në konkursin e rishpallur të hënën, MKRS-ja po përpiqet ta bëjë BKK-në me drejtor.
Në konkursin e mëparshëm trembëdhjetë kandidatë ia kishin mësyrë kësaj pozite, dhjetë ishin kualifikuar për fazën e radhës, shtatë kishin hyrë në testin me shkrim, por asnjëri nuk e kishte kaluar testin.
Blerina Rogova-Gaxha, Bukurije Haliti, Defrim Gashi, Fazli Gajraku, Gjon Berisha, Murteza Osdautaj, Qazim Azizi, Samir Sallahu, Shefqet Gjocaj, Shukrije Rama kanë qenë dhjetë kandidatët të cilët, sipas “njoftimit për verifikim paraprak” të datës 21 mars, i kishin “plotësuar kriteret e konkursit për të vazhduar më tej”. Akif Shkreta, Flamur Maloku dhe Ismail Gagica ishin refuzuar. Konkursi ka qenë i hapur një muaj, nga 9 shkurti deri më 9 mars. Defrim Gashi, Murteza Osdautaj dhe Samir Sallahu nuk kanë marrë pjesë në test.
“Konkursi është anuluar sepse asnjëri nga kandidatët nuk ka arritur pikët”, pati thënë Bardh Rugova, kryetar i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Testi kishte pasur 70 pikë, e që ta kalonin testin, kandidatët duhet të kishin arritur së paku 50 poenë.
Këshilli Drejtues, sipas Ligjit për Biblioteka, zgjedh dhe shkarkon drejtorin.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, drejtori i Bibliotekës Universitare dhe drejtori i Bibliotekës Komunale duhet të ketë së paku diplomë universitare. Mandati i drejtorit është katërvjeçar (4) me mundësi të rizgjedhjes, shkruhet në nenin 11 të Ligjit. Në këtë ligj, sikurse edhe në Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe atë të Punës, në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe në Statutin e BKK-së, ishte hapur edhe konkursi.
Fazli Gajraku tetë vjet ka qenë drejtor i BKK-së e shtatë muaj të tjerë u. d.. Pasi që, siç thoshte, kishte lënë disa punë pa bërë, ia kishte mësyrë edhe një herë mandatit të tretë. Por, nuk e ka kaluar testin, ani pse ka magjistruar për letërsi dhe ka botuar një libër studimor. Gjatë kohës sa e ka udhëhequr Bibliotekën Kombëtare, shumë punonjës të këtij institucioni kanë shprehur pakënaqësi për menaxhimin e bibliotekës. Shumë prej ankesave të tyre janë protokolluar edhe në Arkivin e MKRS-së, por përgjigje atyre nuk u është kthyer kurrë. Drejtor Gajrakut i janë dërguar edhe emaile që disa punonjës janë kërcënuar prej “shërbëtorëve” të tij, por ai ka heshtur vazhdimisht. Gjithashtu, ka heshtur edhe për shkeljen e kritereve të konkurseve, për punësimet partiake, për keqmenaxhim.
Kryetari i Shoqatës Sindikale të Punonjësve të Bibliotekës Kombëtare, Ramush Zeka, disa herë i ka shkruar ministrit Hajrulla Çeku e disa herë të tjera Këshillit Drejtues të BKK-së, të cilët i ka njoftuar për keqmenaxhim të bibliotekës dhe, në disa raste, edhe për keqpërdorim të buxhetit të Bibliotekës Kombëtare, por ankesave të tij nuk u janë përgjigjur as ministri Çeku, as Këshilli Drejtues.
Gjithashtu, ankesa për keqmenaxhim të Bibliotekës Kombëtare ka shprehur kohë pas kohe edhe shefi i personelit dhe i administratës i BKK-së, Izet Abdyli, gjithashtu edhe punonjësi Berat Dakaj, i cili shpeshherë ka ngrehur dyshime për korrupsion në bibliotekë.