
MKRS-ja shënon hapjen e Muajit të Rinisë
MKRS-ja në partneritet me organizatën qeveritare gjermane GIZ dhe MFPT, ka filluar sot aktivitetet në kuadër të Muajit të Rinisë.
Ministria e Kulturës ka njoftuar se Kampi Veror synon të sjellë bashkë të rinjtë nga të gjitha trevat për të ndarë përvojat e tyre dhe për të punuar në zhvillimin e aftësive të tyre, me theks të veçantë në fushën e karrierës dhe aktiviteteve orientuese, duke përfshirë edukimin nëpërmjet sportit.
Kampi do të zgjasë për 3 ditë, ku të rinjtë në grupmoshën 18-29 vjeç (përfshirë edhe punëkërkuesit) do të përfshihen në një varg të aktiviteteve të frytshme dhe informuese.
Aktivitete të orientimit për karrierë, seminare për përgatitjen e aplikacioneve, si dhe sesione të aftësive të buta dhe aftësive jetësore do të jenë pjesë e këtij kampi. Për të siguruar një mjedis të përshtatshëm për mësimdhënie dhe argëtim, të gjitha aktivitetet do të zhvillohen brenda kampeve, duke përfshirë dhe eksperiencën e aktiviteteve në natyrë dhe sportive.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin Agon Dobruna, zëvendësministër i MFPT, Vera Baumann, drejtuese e bashkëpunimit për zhvillim nga Ambasada Gjermane, dhe Onur Canhas, këshilltar politik në MKRS.