MKRS-ja shkruan për koncertin e mbrëmshëm të Shkurte Fejzës: I solli publikut emocione të mëdha
“Me këngë të paharrueshme që për pesë dekada ka mbajtur gjallë atdhedashurinë e shqiptarëve dhe rezistencën e tyre, mbrëmë këngëtarja Shkurte Fejza i solli publikut emocione të mëdha në koncertin ‘Shkurte Fejza – 50 vjet, Zëri i Kombit'”.
“50 vite karrierë e saj nuk kishte se si të festoheshin më mirë se në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës”, ka shkruar MKRS-ja në faqen e saj zyrtare në “Facebook”.
Në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Shkurte Fejza me zërin e saj të mrekullueshëm dhe më këngët folklorike, popullore dhe ato të lehta solli para publikut atmosferë të paharrueshme.
Bashkë me të performuan edhe këngëtarët Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, Nikollë Nikprelaj dhe dy vajzat e saj, Gresa dhe Besiana.
Gjithmonë të shoqëruar nga orkestra simfonike e përbërë nga orkestra e Shotës dhe instrumentistë të tjerë.
Në mesin e shumë qytetarëve që ndoqën nga afër këtë koncert madhështor, të pranishëm ishin edhe presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, ministri Hajrulla Çeku, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e MPJD, Donika Gërvalla, deputetë, zëvendësministra dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar.
Koncerti është mbajtur nën patronatin e Ministrisë së Kulturës ndërsa është organizuar nga Radio Televizioni i Kosovës.