Mllef i paarsyeshëm, ligësi me tepri
Lidhur me reagimin e dytë të Milazim Krasniqit për Fjalorin Enciklopedik të Kosovës
Milazim Krasniqi dje, më 13 janar, bëri një reagim të dytë në gazetën “Epoka e re”, tani me ngarkesa të rënda fyerjesh, ligësish me tepri, mllef iracional dhe insinuatash të ulëta, të cilat nuk e kam ndër mend t’i marr para sysh. Unë kam thënë dhe përsëri vazhdoj të them se, duke e njohur, duke e ndjekur dhe duke i prirë nga fillimi deri në fund procesit të punës në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, për disa gabime tashmë të bëra publike duhet të merren përgjegjësitë nga secili pjesëmarrës në këtë projekt, sepse bëhet fjalë për një vepër kolektive, në hartimin e së cilës kanë marrë pjesë shumë persona, me subordinim dhe koordinim shembullor, me përjashtim të ndonjë fushe. Përgjegjësinë time të kryeredaktorit nuk e kam mohuar asnjëherë, madje shpesh duke marrë përsipër jo vetëm mosdijen dhe neglizhencën e ndokujt, por edhe prapaskenat dhe një sërë insinuatash të shëmtuara, brenda dhe jashtë Akademisë.
Sikundër që e kam bërë me dije edhe më parë, në 24 redaksitë e fushave kanë qenë të angazhuar 72 anëtarë redaksish dhe M. Krasniqi ka qenë një nga këta 72 veta. Pjesëmarrja e tij në hartimin e Fjalorit nuk ka qenë as e detyrueshme, as e pazëvendësueshme madje, duke qenë se informimi doli një nga fushat më me shumë probleme, do të kishte qenë fort e pëlqyeshme që M. Krasniqi dhe të gjithë ata që për ndonjë arsye të paditur nuk kanë dashur të punojnë, të jepnin dorëheqje me kohë dhe t’ua linin vendin të tjerëve. Meqenëse kam një njohje solide të fushës së informimit, do ta bëja zëvendësimin e tij pa ndonjë vështirësi dhe pa keqardhje të madhe.
Më anë tjetër, si anëtar i redaksisë së fushës së informimit, M. Krasniqi është zgjedhur me propozimin e redaktorit të fushës, Ibrahim Berishës, ndërsa ai, siç e kam thënë, nuk ka raportuar ndonjëherë kërkesën e M. Krasniqit për t’u larguar nga redaksia dhe nga projekti i Fjalorit dhe as mënjanimin e tij në ndonjë formë, të heshtur apo të zëshme. Gjithashtu, vetë M. Krasniqi me asnjë shkresë ose letër nuk e ka bërë me dije se tërhiqet nga projekti. Përkundrazi, ai ka nënshkruar një kontratë, besoj me vetëdije të plotë dhe ka marrë një pagesë, gjithashtu me vetëdije të plotë. Pagesa mund të jetë e parëndësishme për M. Krasniqin, por ajo është objekt i kontratës dhe në njëfarë mënyre garanton kryerjen e obligimeve që ai ka marrë përsipër. Sikundër mund tëvërehet, kontratën nuk e kam nënshkruar unë, por sekretari shkencor i Akademisë, që domethënë se kontrata ka pasur vleftë institucionale. Si kryeredaktor unë nuk kam pasur ndonjë nxitje private, por as detyrë që të kujdesem për kënaqësitë ose pakënaqësitë e 72 anëtarëve të redaksive, por kam punuar me redaktorët e fushave, ndërsa M. Krasniqi nuk ka qenë pjesë e këtij niveli të organizimit. Prandaj angazhimi apo mosangazhimi i tij në Fjalor është “mbuluar” nga redaktori i fushës, ndërsa për mua ka qenë krejtësisht periferik. Pse redaktorit të fushës, Ibrahim Berishës, nuk iu paska dashur kontributi i M. Krasniqit, unë nuk jam në dijeni dhe nuk kam asnjë ngasje për të mësuar.
E mbyll këtu, duke shtuar krejt në fund, se ligjërimet morale të M. Krasniqit nuk besoj t’i duhen dikujt në këtë vend, ndërsa unë nuk do të merrem me to, as tash, as në të ardhmen.
Mehmet Kraja