MMPH dhe JICA, intensifikojnë punët për identifikimin e ndotësve të ajrit
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, është takuar të hënën me ekspertët e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), i kryesuar nga eksperti, këshilltari kryesor për matjen në terren të gazit nga oxhaku, Shimizu Masuta dhe ekipi i tij.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për “Projektin e Zhvillimit të Kapaciteteve për Kontrollin e Ndotjes së Ajrit në Republikën e Kosovës”.
Në këtë takim ministri Matoshi ka thënë se çështja e ajrit është problem i kamotshëm në Kosovë dhe sipas tij projekti me JICA-n japoneze ka për qëllim evidentimin e ndotësve kryesor të ajrit në Kosovë.
“Problemi i ajrit të ndotur në Kosovës nuk është problem i dy apo tri viteve të fundit, është problem që e ka përcjellë këtë shoqëri çdo vit në periudha të ndryshme. E vetmja gjë e re është vullneti dhe angazhimi ynë për tu ballafaquar me këtë problem. Është kënaqësi të kemi një projekt të tillë dhe ekspert të tillë nga JICA japoneze, që është një investim për ndryshimin e gjendjes së ajrit për të mirë”, ka thënë Matoshi.
Ndërsa ekspertët nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), prezantuan punën e tyre për hulumtimin e emisioneve në ajër.
Gjatë këtij takim, ekspertët e JICA-s japoneze, kanë bërë të ditur se rezultatet përfundimtare që tregojnë zonat e ndotura dhe kontribuuesit e ndotjes së ajrit në Kosovë, do të jenë të gatshme në muajin prill, për shkak se sipas tyre duhet të grumbullohen të dhëna të shumta dhe të bëhet kalkulimi i tyre.
Në kuadër të “Projektit për Zhvillimin e Kapaciteteve për Kontrollin e Ndotjes së Ajrit në Republikën e Kosovës”, parashihet elaborimi i inventarit të emisioneve për impiantet e mëdha të djegies (LCP) dhe burime të tjera; zhvillimi i matjeve të emisioneve për LCP dhe burime të tjera; aktivitete e qëndrueshme të monitorimit të cilësisë së ajrit, analizat laboratorike përkatëse për matjen e emisioneve dhe monitorimin e cilësisë së ajrit; zhvillimi i modelimit të simulimit të cilësisë së ajrit; marrjen e vendimeve në bazë të provave teknike për kontrollin e ndotjes së ajrit; zhvillimi i masave të kontrollit të shkarkimeve për LCP-të dhe burime të tjera stacionare; dhe vlerësimi i masave të kontrollit të ndotjes së ajrit.
/Epoka e re/