MMPH-ja financon rregullimin e lumit “Klina” në Skenderaj
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, kanë përuruar fillimin e punimeve në ndërtimin e shtratit të lumit “Klina”, te ura afër Shërbimit të Zjarrfikësve, e cila ka një gjatësi prej 530 metra në drejtim të fshatit Llaushë.
Jashari ka thënë se është prioritet i qeverisjes lokale në Skenderaj rregullimi i tërësishëm i shtratit të këtij lumi.
“Jam thellësisht i lumtur për realizim të këtij projekti, kjo pasi më nuk do të ketë vërshime nga të cilat më së shumti kanë vuajtur banorët e lagjeve përgjatë shtratit të lumit ‘Klina’. Ky është vetëm fillimi i finalizimit të shtratit të lumit në gjithë gjatësinë e tij”, ka thënë Jashari.
Ai ka shtuar se viti 2019 do të fillojë me investime më të mëdha në projekte në infrastrukturë rrugore, bujqësi, në sistemin e kanalizimit e ujësjellësit, projekte sportive, kulturore dhe fusha të tjera.
Ndërsa ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, ka thënë se për këtë projekt kjo ministri ka ndarë 200 mijë euro.
Ai ka bërë me dije se në këtë vit MMPH-ja do ta mbështesë Skenderajn edhe në katër projekte të tjera në një shumë rreth 1 milion euro.
/Epoka e re/