MMPH-ja mbështet komunën e Klinës me 100 mijë euro
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi dhe kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, të martën kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi për realizimin e projektit “Rregullimi i shtratit të lumit Drini i Bardhë – Klinë”.
Ky projekt i financuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i cili ka vlerën 100 mijë euro, po bëhet në kuadër të mbështetjes për komunat e Kosovë për përmirësimin e gjendjes së lumenjve.
“Përkrahja për komunat e Kosovës mbetet prioritet për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor andaj përmes këtij Memorandumi të bashkëpunimit, kemi arritur t’i mbështesim qytetarët e Komunës së Klinës, qeverisjen komunale, dhe kryetarin në realizimin e objektivave të tyre”, ka thënë Matoshi.
Gjatë këtij takimi, ministri Matoshi dhe kryetari i Komunës së Klinës, Elezaj kanë diskutuar edhe për aksionin e pastrimit në nivel të Kosovës i cili do të fillojë më 15 shtator të këtij viti. “Presim një mobilizim të përbashkët edhe me Komunën e Klinës në mënyrë që të krijojmë një ambient të mirë për të gjithë”, ka deklaruar Matoshi.
Ndërsa kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka falënderuar ministrin Matoshi për projektin “Rregullimi i shtratit të lumit Drini i Bardhë – Klinë”, duke e vlerësuar si të nevojshëm për qytetarët e kësaj komune.
“Ky projekt është i arsyeshëm për mbrojtjen e shtratit të lumit Drini i Bardhë andaj shprehi falënderimet për u.d ministrin Matoshi. Shpresoj që ky bashkëpunim të vazhdojë pasi që komuna e Klinës ka nevojë për investime në lumenj për shkak se posedon një pasuri të madhe të tyre”, ka thënë Elezaj.
/Epoka e re/