MMPHI-ja financon mbi 1 milion euro projekte në kryeqytet
Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi në vlerë prej 1.5 milion euro.
Me këtë memorandum “synohet shkarkimi i trafikut në kryeqytet”.
Është bërë me dije se me nënshkrimin e këtij memorandumi, Prishtina do të përfitojë katër projekte, ndërsa MMPHI-ja do të vazhdojë mbështetjen edhe me komunat tjera.
Ministri i MMPH-së, Liburn Aliu, ka thënë se ministria që udhëheq, ka nisur nënshkrimin e memorandumeve me Prishtinën dhe se nënshkrimi do të vazhdojë edhe me komunat e tjera.
“Ishte një kënaqësi që po e fillojmë një cikël të nënshkrimeve të memorandumeve me komunat. Po fillojmë me Prishtinën dhe me komunat me radhë. Me Prishtinën nënshkruam memorandume për katër projekte në vlerë 1.5 milion euro, të cilat projekte do të lidhen me interesin qytetar, projekt që tani është hekurudha. Të gjitha këto projekte do të kenë një rëndësie të madhe për Prishtinën. Kemi projekte të tjera që na presin. Një nder to është edhe ura nën urën e ‘Veternik’-ut që lidh të dy lagje, lagjen e ‘Spitalit’ me lagjen ‘Kalabria’, rrugë e cila duhet të kalojë ‘Veternik’-un. Aty kemi bërë marrëveshje ku komuna do ta bëjë projektin e ministria ka ndarë 8 milionë euro dhe shumë shpejt do të filloj punën që të shkarkohet qyteti”, ka thënë Aliu.
Ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se këto projekte do të kenë ndikim drejtpërdrejt tek qytetarët dhe se do të lirojnë komunikacionin në kryeqytet.
Me këtë rast, ai ka përmendur edhe projektin e “Unazës së Kryeqytetit”, për të cilën ka thënë se është jetike dhe që përsëri ka kërkuar nga Ministria e Financave ta nënshkruajë ndarjen e buxhetit për këtë projekt. /EO