Mobilizohen institucionet për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës

21 shtator 2022 | 11:43

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) dhe Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit kanë filluar serinë e punëtorive për implementimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.

Qëllimi i punëtorive është sensibilizimi, mobilizimi dhe fuqizimi i kapaciteteve të profesionistëve përgjegjës për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët. Ato janë iniciuar edhe si pasojë e gjendjes tejet të rënduar të të drejtave të fëmijëve dhe specifikisht mbrojtjes adekuate të fëmijëve viktima të formave të dhunës dhe abuzimit.

Punëtoritë synojnë promovimin e Ligjit për Mbrojtje të Fëmijës, të hyrë në fuqi prej dy vitesh dhe njohjen e secilit profesionist me përgjegjësitë që dalin nga ligji, bazuar në mandatin e tyre institucional.

Përmes tyre do të përfitojnë mbi 500 profesionistë nga të gjitha komunat të mandatuar për të punuar në mbrojtje të fëmijëve nga Drejtoritë e ndryshme Komunale, Qendrat për Punë Sociale, Shkollat, Qendrat e Mjekësisë Familjare, Stacionet Policore, Gjykatat, Prokuroritë dhe organizatat joqeveritare.

Po ashtu, KOMF dhe ZQM/ZKM kanë filluar hartimin e programeve të trajnimit për akreditim, për zbatim të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës. Përmbajtja e programeve do të jetë një aset edukativ i munguar në fushën e mbrojtjes së fëmijës, veçanërisht në lidhje me Ligjin e Mbrojtjen e Fëmijës, që është i pari i këtij lloji në Kosovë, dhe i cili sjell shumë risi, dhe aspekte që kërkojnë vëmendjen e shtuar dhe koordinimin institucional për zbatimin e tij në praktikë.

Kjo iniciativë mundësohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i akterëve të shërbimeve sociale për të ofruar shërbime cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët dhe familjet e cenueshme në Kosovë”, dhe mbështetet nga UNICEF në Kosovë në partneritet me USAID.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka dhënë detaje të reja…