‘Mocion, shpërndarje të Kuvendit apo shkarkim të kryeministrit?’, Kusari-Lila i kërkon opozitës të fokusohet
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se opozita duhet të fokusohet dhe ta dijë se ku është, sa i përket shpërndarjes së Kuvendit, ndonjë mocioni mosbesimi apo shkarkimi të kryeministrit Albin Kurti.
Pas mbledhjes së Kryesisë, ajo ka thënë se të gjitha këto duken të largëta dhe vetëm si dëshirore, kur kërkohet vota e pozitës.
“Qëndrimi zyrtar i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje është që përderisa nuk ka nismë serioze që tregon së pari përcaktimin e tri grupeve parlamentare të opozitës, është absurde të pritet që pozita t’ia ndihmojë njërit grupim politik, qoftë ai që ka filluar nismën me mocion, apo tjetra që kërkon dorëheqjen, apo tjetra që kërkon shpërndarjen e kuvendit. Ata të fokusohen vetë një herë, ta dinë se ku janë së bashku. Dimë se i kanë 44 vota bashkë, dimë se duhet 61 vota për të pasur një mocion mosbesimi, ndërsa 80 vota për të shpërndarë Kuvendin. Të gjitha këto duken pak sa të largëta për momentin apo vetëm si dëshirore kur kërkohet vota e pozitës”, ka thënë Kusari-Lila.