Mocioni i mosbesimit, Hyseni: Nuk besoj se Vjosa Osmani s’do ta bëjë atë që e thotë Kushtetuta

23 mars 2020 | 21:17

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Hyseni ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend.

Hyseni, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se Kuvendi është organi më i lartë në Kosovë dhe askush nuk është mbi të që të merr vendime për Kosovën.

“Nuk mund të kërkohet nga Instituti i Shëndetit Publik që të merr vendime se a të duhet të vazhdojë me punë një organ legjislativ i vendit. Fundja Kuvendi është mbi të gjitha institucionet tjera të vendit”.

Ai ka thënë se Kuvendi edhe në rrethana të jashtëzakonshme duhet të bëjë punën e vet.

“Është në diskrecion të Kryesisë së Kuvendit se si të veprohet”.

Hyseni thotë se administrata e Kuvendit duhet të merr të gjitha masat që të sigurojë kushtet higjieniko-sanitare që puna e Kuvendit të vazhdojë.

“Në momentin që flasim Senati amerikan është në punë. Edhe shumë institucione tjera ndërkombëtare vijojnë punën pavarësisht pandemisë”.

Zyrtari i LDK-së thotë se pavarësisht që ka lexuar gjatë ditës spekulime të ndryshme, nuk beson që Vjosa Osmani mund të veprojë në kundërshtim me Kushtetutën.

“Nuk e besoj që Kryesia e Kuvendit dhe Kryetarja Osmani nuk do ta bëjnë të duhurën dhe atë që thotë Kushtetuta. Janë 45 deputetë që kanë kërkuar seancë”.

Hyseni thotë se pavarësisht se Vjosa Osmani ka votuar kundër ngritjes së një mocioni ndaj Qeverisë, “ajo nuk do të veprojë kundër”.

“Kemi pasur raste të shpeshta në LDK që anëtarë të Kryesisë kanë votuar ndryshe për çështje të caktuara, por ne Kuvend kanë vepruar si Grupi Parlamentar”, tha ndër të tjera Skender Hyseni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës e thirrur për…