Modelja e njohur konfirmon ndarjen me boksierin Krasniqi
Modelja e njohur shqiptare, Heidi Lushtaku, e ka konfirmuar përmes një postimi në rrjetin social Instagram ndarjen nga boksieri i famshëm, Robin Krasniqi.
Që një kohë ishte spekuluar se boksieri shqiptar dhe modelja e njohur i kishin dhënë fund fejesës së tyre katërvjeçare, mirëpo Heidi më në fund iu referua atyre, duke i konfirmuar përmes një deklarate publike.
Në llogaritë e tyre në Instagram tanimë nuk mund të gjenden fotografi të tyre bashkë, përveç postimit të fundit ku Heidi e përmend për ta konfirmuar ndarjen.
Modelja shkruan se ata edhe pse kishin katër vite së bashku, nuk arritën ta ruajnë harmoninë dhe përkushtimin për njëri-tjetrin, që çoi edhe deri te vendimi për ndarje.
Heidi shprehet se ajo dhe Robin kanë mbetur miq dhe ka një respekt të veçantë për ish-vjehrrën e saj.
“Përshendetje të gjithë përkrahësve dhe kureshtarëve! Pavarësisht që ka bërë jehonë ndarja ime me Robinin asnjëherë s’kam dashur të flasë publikisht, madje për hir të kësaj i kam evituar edhe intervistat, por, ngase është e pamundur t’i rezistojmë kureshtjes së mediave dhe fansave, nga ky çast të deklaroj që statusi emocional i lidhjes sonë ka ndryshuar dhe tani jemi të pozicionuar karshi njëri-tjetrit si miq të denjë”, shkroi Heidi.
“Ndarjet janë të vështira dhe aspak të këndshme sidomos pas një periudhë afërsisht katër vjeçare, të cilën e kemi të mbushur me përjetime të këndshme dhe të hareshme, por nga pamundësia që ta ruajmë këtë harmoni, ekuilibër dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit në vijim, ne kemi vendosur para shtatë muajsh t’i japim fund fejesës sonë”
“Kur e shfletoj këtë eksperiencë jetësore më rrezaton përplot emocione dhe ndjenja të natyrave të ndryshme, prandaj dua ta arkivoj në kujtesën time si një përjetim dhe mësim të vyeshëm që ma dhuroi jeta, dhe asnjëherë si një kohë që duhet ta gjykojë me pendesë”.
“Prandaj unë vazhdoj ta çmoj si mik Robinin e sidomos familjen e tij, e në veçanti nënën e tij e cila më trajtoi sikurse vajzën e vet, dhe si e tillë duhet të shërbejë si model pozitiv për të gjitha vjehrrat shqiptare. Këtë shkrim dëshiroj ta përfundoj duke i uruar përzemërsisht Robinit shumë sukses në pasionin e tij dhe realizim të gjitha synimeve jetësore! Me dashuri Heidi”.