“Moderna” sot aplikon për autorizim emergjent të vaksinës kundër Covid
Kompania “Moderna.Inc” ka treguar se sot (e hënë) do të aplikojë për autorizim emergjent në SHBA dhe Evropë të vaksinës së saj kundër Covid-19.
Rezultatet e testimit të fazës së tretë të vaksinës së kësaj kompania kanë treguar se ajo është efektive 94.1%, pa ndonjë shqetësim serioz të sigurisë.
Vaksina e Modernas mbase mund të jetë vaksina e dytë që pritet të marrë autorizimin e përdorimit emergjent në SHBA, këtë vit.
“Ne besojmë se kemi një vaksinë që është shumë efikase”, tha kryeshefi për çështje mjekësore i Moderna-s, Tal Zaks.
“Ne presim që të luajmë një rol kryesor në mposhtjen e kësaj pandemie”, tha ai.
Njoftimi i Modernas pason lajmet nga kompania tjetër, “Pfizer.Inc” dhe partneri gjerman “BioNTech SE” që vaksina e tyre ishte 95% efektive. Pfizer ka aplikuar për autorizimin e përdorimit emergjent, një javë përpara Moderna-s.
Përveç regjistrimit të aplikimit të saj në SHBA, Moderna tha se do të aplikonte për miratim me kusht nga Agjencia Evropiane e Barnave.
Rezultati i fundit i efektivitetit të vaksinës së Modernas është pak më i ulët se një analizë e përkohshme e lëshuar më 16 nëntor që tregonte një efikasitet prej 94.5%.
Ky ndryshim, sipas zyrtarëve të kompanisë, nuk përbën ndonjë rëndësi të madhe.
Në javët e fundit, rezultatet pozitive të vaksinave kanë ngjallur shpresat për t’i dhënë fund pandemisë që ka goditur ekonomitë, dhe ka marrë më shumë se 1.45 milion jetë në të gjithë botën.
Këshilltarët e pavarur të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave do të takohen më 17 dhjetor për të shqyrtuar të dhënat e provave të Moderna-s. Ata do të takohen më 10 dhjetor për të shqyrtuar të dhënat e kompanisë Pfizer. Menjëherë pasi të fitojë autorizimin e përdorimit emergjent, Moderna pret që vaksina të transportohet në pikat e caktuara të shpërndarjes në të gjithë Shtetet e Bashkuara, raporton “Reuters”.