Modriç: Ronaldo ishte afër të qante pas kritikave të Mourinhos
Ish-fituesi i “Topit të Artë” në vitin 2018, Luka Modriç, rrëfen në librin e tij biografik një episod ku ish-trajneri i Real Madridit, Jose Moruinho, debatoi ashpër në një ndeshje me Cristiano Ronaldon.
Në librin “Loja ime” mesfushori veteran kroat tregon se pas përfundimit të pjesës së parë të një ndeshjeje të Realit në Kupën e Mbretit, Mourinho kritikoi ashpër bashkëkombësin Ronaldo. Madje Modriçi pretendon se portugezi u prek aq shumë sa ishte gati të qante.
“Reagimi i Mourinhos më befasoi. Po fitonim 2-0 në Kupën e Mbretit. Ronaldo nuk e ndoqi shokun e skuadrës pas një rivënieje me duar dhe Jose u acarua me Ronaldon. Të dy debatuan gjatë në fushë. Kur u kthyem në dhomat e zhveshjes, e pashë Ronaldon të mërzitur, gati të qante. Ai tha: ‘Po jap më të mirën dhe ai akoma më kritikon’. Mourinho erdhi dhe filloi ta kritikonte Ronaldon për përgjegjësinë që duhej të mbante në fushë. U acarua situata aq shumë saqë u detyruan lojtarët të ndërhynin dhe ta shmangnin sherrin”, ka rrëfyer Modriç në biografinë e tij.