Modriq: Dua të pensionohem në Real Madrid
Luka Modriq e ka një dëshirë të madhe: legjenda kroate dëshiron të pensionohet në Real Madrid.
Ish-futbollisti i Tottenhamit po shkon drejt fundit të kontratës me “Los Blancos” dhe kampioni i freskët spanjoll mund t’i ndajë rrugët me veteranin e mesfushës.
Sidoqoftë, nëse do të pyetej përfaqësuesi kroat, ai do të qëndronte edhe një vit në “Santiago Bernabeu”, ku edhe dëshiron ta mbyll karrierën. Modriq ka fituar gjithçka me “Merengues” dhe, përkundër faktit se në sezonin e fundit luajti më pak, duke përfunduar shpesh në bankinë, do të ishte i gatshëm ta pranojë këtë status vetëm e vetëm për të punuar edhe një vit nën urdhrat e trajnerit Carlo Ancelotti dhe për ta shijuar edhe një sezon fanellën e bardhë.
“Vendimi për të ardhmen time është marrë, por nuk mund t’ua them ende. Do ta njihni atë pas finales së Championsit”, ka deklaruar Modriq për “partidazocope”.
“Gjithmonë e kam thënë se dua të pensionohem në Real Madrid, kjo është ajo të cilën vërtet e dua. Do të ishte ëndërr pasi kjo është shtëpia ime”, ka vazhduar Modriq.
“Real Madridi do të jetë gjithmonë klubi i jetës sime. E dua një lamtumirë si ajo e Toni Kroosit, ishte fantastike, emocionuese…”, ka përfunduar Modriq. Lojtari ia ka treguar Realit vendimin për të qëndruar edhe një vit aty, tash mbetet takimi final dhe vendimi përfundimtar.