Modriq, favoriti kryesor për “Topin e Artë”
Fituesi për këtë vit i “Topit të Artë” duket se do të vendoset nga suksesi në Kupën e Botës dhe njeriu i momentit në Rusi është Luka Modriq. Kapiteni i Kroacisë po bën një Botëror fantastik dhe momentalisht kryeson garën për të fituar “Topin e Artë”.
Luka Modriq është njeriu i momentit në Rusi dhe është aktualisht lojtari me më shumë kredenciale për të fituar “Topin e Artë”. Pas ndeshjes së fazës së 1/8 ndaj Danimarkës në vendin e tij në Kroaci filluan që të shpallnin kandidaturën e mesfushorit të Real Madridit për të fituar “Topin e Artë”, çmimin prestigjioz individual që gjatë dekadës së fundit ka qenë pronë e Messit dhe Ronaldos.
Por pas paraqitjes së shkëlqyer të bërë ndaj Rusisë, kandidatura e tij ka marrë edhe më shumë pikë dhe është diçka që po mendohet nga gazetarët dhe specialistët e futbollit në gjithë botën, shkruan “Shqiptarja”. Në përfundim të çerekfinaleve, ku Kroacia kaloi mes katër më të mirave, Modriq u ndal dhe foli për mediat nga mbarë bota duke u përgjigjur në të gjitha gjuhët, anglisht, spanjisht dhe në gjuhën kroate.
Nga të gjithë gazetarët pyetja e parë që i bëhej ishte kjo “A e sheh veten si fitues i ‘Topit të Artë?’”, dhe kapiteni i Kroacisë u përgjigj: “Është diçka që nuk e kam si obsesion dhe për momentin nuk e mendoj, pasi dua që të arrij në finalen e Kupës së Botës”. Pavarësisht se Modriq tregohet modest, numrat flasin në favor të tij.
Luka është shpallur tre herë lojtari i ndeshjes nga 5 të luajtura deri tani. Ndaj Rusisë ishte lojtari që preku më shumë topin, po ashtu ka shënuar te goditjet e penalltive ndaj Danimarkës dhe Rusisë dhe ka shënuar edhe dy gola ndaj Nigerisë dhe Argjentinës. Me Cristiano Ronaldon, Messin dhe Neymarin jashtë Botërorit emrat e tjerë kandidatë për “Topin e Artë” janë Griezmann që fitoi edhe Europa League me Atleticon, Mbappe që fitoi tre trofe me PSG-në. De Bruyne është kandidat potencial, pasi fitoi Premier Ligë dhe Harry Kane autor i 41 golave me Tottenham. Të gjitha këta emra ende në garë për Kupën e Botës dhe me potencial të madh. Ajo që do të ndodhë në ndeshjet finale të Kupës së Botës patjetër që do të përcaktojë edhe fituesin e “Topit të Artë”, por momentalisht këtë garë e kryeson Luka Modriq.