Modriqi kërkon kontratë të re në Real Madrid
Luka Modriq do të mbushë 38 vjet më vonë këtë vit, por thotë se shpreson për një kontratë të re me Real Madridin.
Modriqit i skadon kontrata me Real Madridin në fund të sezonit, por nuk po planifikon të varë këpucët ende.
Reprezentuesi kroat u ka thënë gazetarëve se po punon shumë për të rinovuar kontratën në “Santiago Bernabeu”.
“Po bëj gjithçka që mundem për të dhënë më të mirën time dhe për të merituar mundësinë për të vazhduar këtu. Nuk mund të bëj më shumë, kam pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë me klubin dhe kjo nuk do të ndryshojë”, tha ai.
“Ashtu si vitin e kaluar, nuk ka nxitim, jemi në gjysmë të rrugës së sezonit dhe ka shumë sfida përpara. Unë jam i fokusuar në këtë, për t’u rikthyer në nivelin tim më të mirë, le të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Modriq mund të jetë duke shkuar drejt fundit të karrierës së tij, por ai mbetet një lojtar kyç i skuadrës së Carlo Ancelottit. Ai është paraqitur në të gjitha ndeshjet, përveç njërës në La Liga këtë sezon dhe ka shënuar gjashtë herë në të gjitha garat për “Los Blancos”. Real Madridi do të përballet me Liverpoolin, të martën në kuadër të 1/8 finales në Ligën e Kampionëve.