Modriqi tregon arsyen pse Reali nuk po shkëlqen

07 janar 2019 | 19:20

Mesfushori kroat i Real Madridit, Luka Modriq, nuk e mban shiritin e kapitenit, mirëpo përmes deklaratave, pas disfatës që pësoi klubi madrilen, ai u soll si një kapiten jashtë fushe.

Fituesi i “Topit të Artë” doli në publik dje pas disfatës së Real Madridit me rezultat 2-0 kundër Real Sociedadit dhe me deklaratat e tij i nxiti edhe më shumë fjalët për krizën brenda klubit madrilen. Kroati e ndau fajin dhe përgjegjësinë për paraqitjet e rezultatet e dobëta me bashkëlojtarët e tij, duke pranuar se të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi për pikët e humbura. Modriqi theksoi se skuadra ka nevojë të përmirësohet në disa gjëra.

“Është problemi ynë, por nuk është vetëm kaq, pasi që ka edhe gjëra të tjera. Para kësaj, rastet e mira përfundonin me gola, por tani nuk po ndodh kjo gjë, kështu që ne duhet të jemi më të mirë para portës. A mund të zgjidhet kjo gjë me transferimin e lojtarëve të rinj? Kjo nuk është puna ime, pasi ka shumë njerëz që vendosin për këto gjëra. Ne kemi nevojë për më shumë unitet në fushë, pasi që çdo ndeshje jemi duke pranuar gola dhe nuk po arrijmë të kthehemi në lojë”, ka thënë Modriqi.

“Ka shumë lojtarë të cilët nuk janë duke performuar në nivelin e tyre më të mirë dhe unë jam i pari në këtë listë. E di se duhet të përmirësohet dhe jam këtu për ta marrë këtë përgjegjësi. Duhet të përmirësohemi në aspektin mendor dhe fizik. Duhet ta marrim çdo ndeshje me radhë dhe të mos mendojmë për Barcelonën ose ekipet e tjera që janë para ndesh. Duhet ta ngremë nivelin e lojës tonë dhe të jemi më të mirë mendërisht sepse kemi mjaft cilësi dhe klasë në skuadër që të mund ta përmirësojmë këtë situatë”, ka deklaruar ai.

Modriqi foli edhe për trajnerin aktual te Real Madridit, duke thënë se ai nuk mund të shënojë gola në vend të futbollistëve.

“Trajneri është duke bërë punë të mirë dhe na ka përgatitur mirë për ndeshje. Por, ai nuk mund t’i shënojë golat për ne. Ai nuk mund t’i shmanget asaj që po ndodh në fillim të ndeshjes sepse ai është duke e bërë punën e tij. Jemi ne ata që luajmë në fushë. Ka arsye që e sqarojnë pse nuk jemi në formë të mirë dhe gjyqtari nuk e pati paraqitjen e tij më të mirë sot, por problemi ynë nuk është ai apo VAR-i, edhe pse ata nuk na kanë ndihmuar aspak. Problemi ynë është diku tjetër. Shumë prej nesh nuk jemi duke luajtur në nivelin më të lartë dhe ky është një problem”, ka deklaruar Modriqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesor i nderuar, po e realizojmë këtë intervistë dhe po…