Mogherini bisedon me Thaçin dhe Vuçiqin pas vrasjes së Ivanoviqit
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka biseduar nëpërmjet telefonit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe me atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, këtë mëngjes në veri të Mitrovicës.
“Në bisedat telefonike, përfaqësuesja e lartë e dënoi fuqishëm vrasjen dhe shprehu ngushëllime për familjen dhe miqtë e tij. Ajo shfaqi shpresën se autoritetet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë nuk do t’i kursejnë përpjekjet për t’i gjetur autorët dhe për t’i sjellë ata përpara drejtësisë, pa vonesa”, është thënë në komunikatën që ka lëshuar Zyra e Mogherinit.
“Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, do t’i mbështesë autoritetet në përputhje me mandatin e tij”, ka thënë Mogherini.
Ajo po ashtu u ka bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë qetësi dhe përmbajtje.