Mogherini: Dialogu Thaçi-Vuçiq, i vështirë
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë se takimi i fundit në mes të presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut ka qenë i vështirë, por inkurajues.
“Dje kemi pasur një takim shumë të mirë midis Beogradit dhe Prishtinës, i cili u zhvillua në mënyrë inkurajuese, por shumë i të vështirë”, ka thënë Mogherini para se të hynte në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg.
Ajo ka thënë se Ballkanit Perëndimor i duhet tani që Bashkimi Evropian të jetë i qëndrueshëm dhe të përmbushë atë që ka premtuar.
Mogherini ka thënë se në Ballkanin Perëndimor është bërë përparim i dukshëm dhe vuri theksin mbi marrëveshjen midis Shkupit dhe Athinës për zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë.
Ajo ka thënë se pret që ministrat e Jashtëm të BE-së, në takimin e nesërm, të pranojnë rekomandimet e Komisionit Evropian për të nisur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë.