Mogherini ka tradhtuar parimet evropiane
Ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka bërë me dije se tani nuk është koha për marrëveshjen përfundimtare Kosovë – Serbi.
Ajo ka deklaruar se për të vazhduar dialogu i Brukselit ndërmjet dy shteteve duhet pritur udhëheqësin e re të Bashkimit Evropian.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri e ka akuzuar shefen e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, se ka tradhtuar parimet evropiane.
“Qëndrimi ynë si Kosovë duhet të jetë që të mos kemi marrëveshje në këtë kohë. Pra, të presim të shkojë Mogherini, e cila ka tradhtuar parimet evropiane dhe të presim ndryshime në udhëheqjen e BE-së. Shpresojmë të vijë një udhëheqje që mbron parimet evropiane të integrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ashtu siç është konfirmuar edhe me strategjinë e fundit për zgjerim të BE-së”, ka thënë Tahiri.
Ai e ka ftuar Qeverinë e Kosovës që mos ta heqë taksën për mallrat serbe. Sipas saj, kjo taksë është mekanizmi i vetëm i cili po i mbron kufijtë e Republikës së Kosovës.
“Taksa momentalisht është mekanizmi i vetëm që vret idenë e ndryshimit të kufijve. Me fjalë të tjera, i mbron kufijtë e shtetit të Kosovës sepse, siç e pamë të gjithë, Kuvendi i Kosovës dështoi që të krijojë një qëndrim të unifikuar të spektrit politik në një platformë. Pra, platforma u votua vetëm nga subjektet politike që janë në pushtet dhe PSD-ja”, është shprehur Tahiri.
Së pari, sipas saj, liderët institucionalë duhet ta shohin interesin kombëtar dhe më pas raportet me ndërkombëtarët.
“Gjithmonë duhet parë se a po lëkunden raportet me popullin tënd, sepse lojërat djallëzore për kufij kanë lëkundur raportet e disa liderëve me popullin shqiptar. Pastaj vijnë raportet me ndërkombëtarët. Edhe në vitet e çlirimit, kur ne kërkonim pavarësi, faktori ndërkombëtar nuk ishte me neve. Por, ne qëndruam, luftuam dhe faktori ndërkombëtar, duke përfshirë ShBA-në, doli në anën tonë. Pra, fillimisht duhet të shikohen raportet me popullin”, është shprehur Tahiri.
“Epoka e re”: Zonja Tahiri, së fundi janë shtuar zërat brenda qeverisë që mendojnë se taksa ndaj mallrave serbe po e bllokon një marrëveshje të mundshme me Serbinë. Si i keni parë këto qëndrime?
Tahiri: Këto vlerësime vijnë nga ata që nuk janë në gjendje ta kuptojnë rrezikun në të cilin ndodhet Kosova në kuadër të dialogut të Brukselit. Taksa momentalisht është mekanizmi i vetëm që vret idenë e ndryshimit të kufijve. Me fjalë të tjera, i mbron kufijtë e shtetit të Kosovës sepse, siç e pamë të gjithë, Kuvendi i Kosovës dështoi që të krijojë një qëndrim të unifikuar të spektrit politik në një platformë. Pra, platforma u votua vetëm nga subjektet politike që janë në pushtet dhe nga PSD-ja. Në këtë mënyrë taksa është ajo që po vonon këtë dialog. Mendim im është se ky dialog duhet të vonohet derisa të shkojë Mogherini me gjithë ekipin e saj, të cilët shkelën parimet evropiane, duke hapur mundësinë që të bisedohet për temën e kufijve, e cila është e rrezikshme jo vetëm për interesat kombëtare të Kosovës dhe të shqiptarëve, por edhe për stabilitetin në Ballkan. Prekja e kufijve nuk bëhet me paqe, por me luftë. Kjo do t’i kthente armiqësitë e vjetra dhe rrezikon që i gjithë Ballkani të përfshihet në këtë situatë.
“Epoka e re”: A do të thotë kjo se për ta vazhduar dialogun e Brukselit, Kosova duhet ta presë udhëheqjen e re të BE-së pas zgjedhjeve që priten të mbahen në pranverë?
Tahiri: Nuk mund të flas në emër të qeverisë, por mund të flas si ish-kryenegociatore. Nga njohuritë e mia në marrëdhëniet ndërkombëtare mund të them se nuk është kjo koha e duhur për të bërë dialog, sepse kemi pasur lojëra djallëzore, sekrete, të treshes së njohur tashmë Thaçi-Vuçiq-Rama për këtë çështje. Por, siç dihet, këto lojëra mbeten pa përkrahje, sepse edhe një herë populli i Kosovës tregoi se askush nuk mund të punojë pas shpinës dhe as kundër vullnetit të tij. Këtë po e them si një ndër themelueset e këtij shteti të Kosovës që kam luftuar 30 vjet për këtë ëndërr.
“Epoka e re”: Megjithatë, është konstatim i përgjithshëm se taksa ka lëkundur raportet e Kosovës me Perëndimin?
Tahiri: Së pari, gjithmonë duhet parë se a po lëkunden raportet me popullin tënd, sepse lojërat djallëzore për kufij kanë lëkundur raportet e disa liderëve me popullin shqiptar. Pastaj vijnë raportet me ndërkombëtarët. Edhe në vitet e çlirimit, kur ne kërkonim pavarësi, faktori ndërkombëtar nuk ishte me ne. Por, ne qëndruam, luftuam dhe faktori ndërkombëtar, duke përfshirë ShBA-në, doli në anën tonë. Pra, fillimisht duhet të shikohen raportet me popullin.
“Epoka e re”: E ka Kosova luksin që për shkak të taksës t’i sakrifikojë raportet me aleatët kryesorë të saj, me ndihmën e të cilëve ka arritur deri këtu?
Tahiri: Po them se gjithmonë faktori ndërkombëtar kur e sheh unitetin, vullnetin dhe historinë e popullit tonë, gjithmonë e di kur është e drejta. Ndërsa individët që nguten të futen në lojëra të tilla ose nuk dinë se kah po shkon ky proces, ose e kanë ndarë mendjen ndryshe. Po e përsëris, fillimisht duhet parë interesi kombëtar, pastaj duhet punuar me faktorin ndërkombëtar që të respektohet interesi ynë kombëtar, siç është respektuar edhe në kohët më të vështira, kur askush nuk e njihte Kosovën. Kur kam dalë në diplomaci si ish-ministre e Jashtme në vitet ’90 askush në diplomaci nuk e dinte se ku është Kosova. Por, tani jemi shtet i pavarur, me njohje të fuqishme dhe nuk duhet të lejuar që në emër të njohjes nga Serbia të japim veriun e Kosovës. Ajo njohje dhe ai dialog fare nuk na duhet nëse na çon në një proces kundër interesave kombëtare.
“Epoka e re”: Në anën tjetër, kemi kryeministrin e Kosovës, z. Ramush Haradinaj, i cili pretendon që me anë të taksës do ta marrë njohjen nga Serbia. E shihni këtë si të mundshme?
Tahiri: Kjo është e thjeshtësuar si një analizë. Nuk është kaq e thjeshtë kjo punë. Me pas qenë kështu, kjo ka mundur të arrihet më herët. Lufta jonë tani është t’i mbrojmë kufijtë që t’ia bëjmë me dije Serbisë dhe Vuçiqit se kufijtë e Kosovës janë ta paprekshëm. Ëndrra e tyre që ta shfrytëzojnë edhe më tutje “Trepçën”, duke marrë veriun e vendit, ka përfunduar përgjithmonë. Po ashtu, lojërat e Rusisë që të rikthehen në Ballkan me fuqi gjeopolitike në dëm të tokave shqiptare, nuk do të ndodhë më. Prandaj, apeloj që subjektet politike ta arrijnë një unitet. Nuk pres që ky unitet të arrihet 100 për qind, por forcat politike që e njohin interesin kombëtar dhe janë në mbrojtje të kufijve duhet të bashkohen.
“Epoka e re”: Sa janë gjasat që gjatë këtij viti të kemi marrëveshje përfundimtare Kosovë – Serbi?
Tahiri: Qëndrimi ynë si Kosovë duhet të jetë që të mos kemi marrëveshje në këtë kohë. Pra, të presim të shkojë Mogherini e cila ka tradhtuar parimet evropiane dhe t’i presim ndryshimet në udhëheqjen e BE-së. Shpresojmë të vij një udhëheqje që mbron parimet evropiane të integrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ashtu siç është konfirmuar edhe me strategjinë e fundit për zgjerim të BE-së.
Muhamet KOCI